Medaljet e fituara në Tokio 2020 të jenë ”zile” për shtetin e Kosovës

Në çdo garë ku sportistët e Kosovës do të marrin pjesë do të kërkohet që të arrihen rezultate sepse është rritur standardi dhe nëse fokusi i institucioneve të vendit nuk do të jetë në përmirësimin e kushteve, në infrastrukturën sportive dhe trajnimin e trajnerëve, rrezikojmë që ky standardë të kthehet bumerang për sportin tonë.

Kështu ka thënë për ekipin e KosovaPress që ndodhet në Tokio, sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj.

Sipas tij, marrja e medaljes në Rio dhe tash dy medaljeve në Tokio 2020, është sukses i jashtëzakonshëm për sportistët, KOK-un dhe Kosovën.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Ne edhe sa ishin më Kosovë, para se të vinim në Lojërat Olimpike kemi thënë se Kosova do të fitojë medalje dhe nuk do të kthehet pa medalje dhe ajo doli, mirëpo edhe optimistët më të mëdhenj që e njohin sportin e sidomos lojërat olimpike, nuk kanë prit që Kosova do t’i fitojë dy medalje olimpike. Ne atë po e shohim edhe nga të gjitha komitetet olimpike tjera këtu që janë të përfshirë por edhe nga drejtuesit e komitetit olimpik ndërkombëtar dhe të Evropës të cilët janë jashtëzakonisht të befasuar me rezultatin që e ka arrit Kosova. Kjo është befasuese për të gjithë botën e sportit“, ka thënë ai, derisa thekson se ka shpresë ende për medalje tjera.

“Meqë ekipi jonë olimpik është shumë i përgatitur dhe ne në këto lojëra olimpike kemi ardhur me gjashtë norma olimpike. Nëse na vjen edhe ndonjë medalje olimpike, që t’i bëjmë tri, kjo do ta kompletonte het-trik për Kosovën që po ashtu do të ishte një rezultat befasues për mua dhe për shumë njerëz të tjerë“, ka thënë Haxhijaj.

Ai thotë se momentet e fitores së vajzave ka qenë emocion i papërshkrueshëm. Sipas tij, KOK ka punuar shumë gjatë 5 viteve të kaluara duke i qëndruar afër sportistëve tanë gjatë gjithë kohës, qoftë me përgatitje, bursa, dërgim në kampe, dërgim në gara për normë olimpike, gjë që ka rezultuar me dy medalje olimpike.


Haxhijaj shtoi se ekipi olimpik në këto lojëra është më i madh në numër dhe cilësi.

“ Është normale që të konsiderohet nga ky moment që ky rezultat i arritur në sport të jetë si zile, si një kambanë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ku duhet të fillohet të mendohet që investimi gradualisht të dyfishohet ose shumë më shumëfishohet sa i përket ndërtimit të infrastrukturës dhe mbështetjes për sportin…çdo lloj barriere të mundshme për shtetin e Kosovës dhe konsideroj se rritja e mbështetjes së institucioneve të Kosovës për sportin do ta rritë akoma më shumë përformancën dhe rezultatet e sportistëve tanë. Krahas kësaj rritet edhe imazhi i Kosovës, i shtetit tonë, i popullit tonë dhe mendojë që me t’u kthyer në Kosovë, ne do të fillojmë negociatat me Qeverinë, Ministrinë e sportit, Kuvendin e Presidencën që të mendohet akoma më ndryshe se si të ngriten kapacitetet e sportit në Kosovë, si të përmirësohet dukshëm infrastruktura pothuajse në të gjitha sportet dhe në veçanti duhet të jetë në konsideratë xhudo i ka arrit dy medalje tani dhe një në RIO 2026“, ka thënë ai, duke shtuar se edhe si KOK duhet të fokusohen në trajnimin e trajnerëve.

“Ne po e shohim se pa pas trajner të kalibrit çfarë është Driton Kuka është vështirë të arrish te një rezultat çfarë ne po synojmë dhe tani më Kosova i ka edhe disa probleme sepse në çdo garë ku Kosova merr pjesë tash e tutje kërkohet prej tyre që të arrihen suksese dhe rezultate sepse është rritë standardi, po marrim pjesë në dy parë lojëra olimpike dhe në të dy parë lojërat po fitojmë medalje olimpike dhe akoma kemi shpresë për medalje, dhe tashëm është rrit standardi dhe nëse fokusi ynë nuk do të jetë në përmirësimin e kushteve, në infrastrukturën sportive dhe trajnimin e trajnerëve, rrezikojmë që ky standardë të kthehet bumerang për sportin “, ka thënë Haxhijaj, duke  shprehur bindjen se nëse investohet në këto çështje do të arrijnë që sukseset të jenë edhe në sportet tjera, gjë që është edhe synim i KOK-ut.

Ai shtoi se Kosova është e renditur e shtata në listën botërore, sa i përket shpërblimeve që shteti i Kosovës iu jep sportistëve, të cilët sjellin medalje të artë. 

“Komiteti Olimpik i Kosovës është duke menduar që sërish t’i shpërblejë sportistët që kanë fituar medalje olimpike dhe që kanë marrë pjesë në lojërat olimpike dhe se si do të merret vendimi për këtë çështje, do të vendoset konsiderohet nga bordi ekzekutiv i KOK-ut, sapo ne të kthehemi dhe përjashtim kësaj konsideroj se është koha që seriozisht bizneset e Kosovës të kthehen dhe të sponsorizojnë sportistët tanë elitarë, sidomos ata që kanë marrë medalje dhe që janë pretendent për medalje olimpike“, tha ai.

Në fund, Haxhijaj ka folur edhe për takimet që kanë zhvilluar me përfaqësues të sportit botërorë, duke thënë se kanë shikuar të gjitha projektet e mundshme që implementohen në shtete tjera, në mënyrë që ai të merret dhe të fillojë të implementohet në Kosovë, me qëllimi më të mirë për sportistët.

Lexo edhe

Video

error: