Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se gjatë vitit 2022, sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore ishte 420 mijë e 482 hektarë, përfshirë tokën e përbashkët, ku krahasuar me vitin paraprak 2021 që ishte 420 mijë e 326 hektarë, ka një rritje të sipërfaqes së tokës në shfrytëzim prej 155,86 ha.
Rënie e lehtë vërehet te toka e përbashkët
“Vërehet një rënie e lehtë te toka e përbashkët, ndërsa toka e punueshme - arat marrin pjesë me 44,81% dhe kopshtet me 0,26%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Rritje e lehtë e sipërfaqes së tokës me kultura shumëvjeçare
“Gjatë vitit 2022, gjithsej toka e punueshme – arat, ishte 188 404,61 ha, pjesa më e madhe ishte me: drithëra (124 617,49 ha, ose 66,14%); bimë foragjere (37 614,61 ha, ose 19,96%); perime 10 247,34 ha në fushë të hapur, në serra dhe kopshte (prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 9 167,40 ha, ose 4,87%); patate (3 884,43 ha, ose 2,06%); bishtajore (3 052,40 ha, ose 1,62%); bimë industriale (886,90 ha, ose 0,47%); kultura të tjera (2 771,28 ha, ose 1,47%) dhe tokë djerrinë ishte 6 410,09 ha ose 3,40%”, thuhet në raport.
Sipërfaqe e ujitur, të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës në vitin 2022, ishte 34 000,08 ha.
Rënie e lehtë e fondit blegtoral
ASK bën të ditur po ashtu se rezultatet e kësaj ankete tregojnë se blegtoria në Kosovë, gjatë vitit 2022, sa i përket numrit të gjedheve ishte 250 mijë e 899, ku krahasuar me vitin paraprak 2021 (që ishte 260 528), ka një rënie të lehtë ose 9 mijë e 629 më pak.