Mbrojtja: Salih Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat

Avokati Julius von Bone ka thënë se Salih Mustafa asnjëherë nuk ka kryer vrasje dhe as ndaluar dhe maltretuar njerëz, në kompleksin e Zllashit apo ndonjë vend tjetër. Gjatë deklaratës përfundimtare të mbrojtjes, ai ka thënë se Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat dhe se ai nuk kishte urdhëruar kryerjen e krimeve dhe nuk kishte njohuri se ato janë kryer siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja e ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se nga data 1 deri më 19 prill 1999, periudhë kjo kur pretendohet të jenë kryer krimet, Mustafa mund të ketë qenë pak herë në kompleksin e Zllashit.

Ai ka thënë se Mustafa asnjëherë nuk ka marrë në pyetje apo keqtrajtuar njerëz dhe as ka urdhëruar të tjerët të bëjnë diçka të tillë.

“Zotëri Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat, zotëri Mustafa nuk kishte absolutisht asnjë lloj njohurie për krimet të cilat perëndohen në aktakuzë, në periudhën nga data 1 deri më 19 prill 1999 zotëri Mustafa ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, në kompleks, ai nuk ka ndaluar, nuk ka marrë në pyetje, nuk ka keqtrajtuar, nuk ka torturuar askënd asnjëherë në atë vend. Ai gjithashtu nuk ka urdhëruar askënd tjetër për të bërë një gjë të tillë, ai po ashtu nuk ka kontrolluar asnjë prej këtyre veprimeve të pretenduara që mund të jenë ndërmarrë nga të tjerë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur dhe ai vet nuk ka parë me sytë e vet asgjë të tillë të ketë ndodhur. Zotëri Mustafa nuk ka vrarë asnjëherë askënd dhe nuk ka urdhëruar asnjëherë vrasjen e dikujt”, ka thënë Avokati mbrojtës i Mustafës.

Ai ka thënë se Mustafa nuk e ka torturuar askënd dhe nuk ka qenë në dijeni se diçka e tillë mund të ketë ndodhur nga ushtarë të tjerë të UÇK-së.

“Nuk ka prova që ka ndonjë lidhje ajo marrëdhënie në mes të zotit Mustafa dhe ushtarëve të UCK-së me pseudonime të  tilla si ‘Tabuti, Bimi, Dardani, ose Afrimi’ lidhur me kryerjen e atyre krimeve, nëse këto krime janë kryer nga ndonjëri prej këtyre individëve ndonjëherë. Bimi e mohoi këtë vet, të tjerët nuk janë gjetur asnjëherë apo nuk janë intervistuar asnjëherë, dhe nuk ka asnjë provë që këta persona në atë kohë në kohën e aktakuzës kanë qenë të pranishëm në kompleks, ata madje as nuk janë identifikuar”, ka thënë ai.

Avokati i Salih Mustafës ka thënë se kompleksi i Zllashit është përdorur si një vend i sigurt për ushtarët dhe popullatën civile të zhvendosur nga zona të tjera.


Ai ka thënë se asnjë prej njerëzve që kanë qëndruar në Zllash nuk ka thënë që BIA e drejtonte atë kompleks.

Sipas tij, pretendimet që BIA e kishte përdorur një ndërtesë të caktuar për qëllimet e marrjes në pyetje apo për qëllimet e ndalimit janë gënjeshtra.

Von Bone ka thënë se mbrojtja dëshiron ta bëjë të qartë se Salih Mustafa dhe asnjë person tjetër i BIA-s nuk kanë pasur qëllim të ndalojnë apo keqtrajtojnë njerëz.

Seanca në Hagë po vazhdon me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse të mbrojtjes, pasi avokatja  e viktimave dhe prokuroria i kanë përfunduar deklaratat e tyre përfundimtare.

Në seancën e së martës ZPS ka kërkuar që Salih Mustafa të shpallet fajtor për katër pikat e aktakuzës dhe të marrë një dënim prej 35 vjet burgim.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar./G.Kadrija

Lexo edhe

Video