Mbrojtja e Thaçit e ballafaqon dëshmitarin me qëndrimet e tij për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë
Lexohet për: 3 min.
Haga-1-190824
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vazhduar kundërpyetjet e mbrojtjes për dëshmitarin Steven Russoll. Ish-ushtaraku ka dëshmuar gjatë ditës para trupit gjykues në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së, i shoqëruar nga tre përfaqësues të qeverisë amerikane. Edhe nesër do të vijohet me kundërpyetjet e mbrojtjes për këtë dëshmitarë.

Avokatja Hashim Thaçit,  Nina Tavakoli ka pyetur dëshmitarin lidhur me qëndrimet e tij për UÇK-në dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Ne po shkonim aty për të zbatuar Rezolutën 1244 që ishte rezultat i ndërhyrjes në sovranitetin e Serbisë në emër të vuajtjes së shkaktuar në provincën e Kosovës dhe mendova që në këtë kontekst ne po ndërhynim në sovranitetin e Serbisë për të zbutur vuajtjen e njerëzimit në provincën e Kosovës, kështu do ta shpjegoja unë”, tha Russel.

Dëshmitari i cili është i shoqëruar me tre përfaqësues të qeverisë amerikane, është pyetur edhe për deklaratën se ‘fushata ajrore e NATO-s nuk kishte qëllim paqeruajtës por më shumë të impononte një rezultat’.

Tavakoli: Këto janë fjalët tuaja ‘Nuk mendoni që fushata e bombardimeve ajrore të NATO-s, nuk ishte një mision paqeruajtës, ishte më shumë të impononte një rezultat, a ju kujtohet që keni thënë këtë?

Russoll: A mund të më jepni më shumë kontekst sepse nuk më kujtohet.

Mbrojtja: Juve ju është bërë pyetja lidhur me fushatën e bombardimeve të NATO-s, në intervistën që keni dhënë për prokurorin që ju nuk mendoni që është fushatë paqeruajtëse e misionit paqeruajtës.

Russoll: Nuk e di nëse përgjigja është në procesverbal, por mendoj që është e vështirë për forcat ajrore të arrijnë në një përfundim apo të sjellin rezultatin e duhur pa praninë në terren dhe mendoj që ka shumë histori për t’u mbështetur këtë që po them”, u përgjigj ai.

Pas këtyre pyetjeve, ish-ushtarakut amerikan i është shfaqur fjalimi i ish-presidentit Bill Clinton për bombardimet e NATO-s.

Mbrojtja: A është kjo që tha presidenti Clinton në përputhje me njohuritë që kishit ju për arsyet që NATO ndërhyri dhe Kombet e Bashkuara do të ndërhynin. 

Russoll: Besoj që kjo ka qenë ajo që e mendonim të gjithë ne”, tha Russoll.

Avokatja mbrojtëse e Hashim Thaçit i tha dëshmitarit se kishte thënë se gjatë një fjalimi në Gjilan, i mbrojturi i saj ka deklaruar se nuk dëshironte një Kosovë multietnike. Ajo tha se një gjë e tillë nuk është thënë nga Hashim Thaçi.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024