Mbledhja e dy qeverive Kosovë-Maqedoni e Veriut mbahet në shtator

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut pritet të mbajnë mbledhjen e përbashkët në shtator të këtij viti, në të cilën synohet nënshkrimi i marrëveshjeve që përfshijnë pothuajse të gjithë sektorët. Kështu deklaron zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në shtetin fqinj, Fatmir Bytyqi, sipas së cilit, përgatitjet për këtë mbledhje janë në fazën finale. Në një intervistë për KosovaPress, Bytyqi flet edhe për iniciativën “Open Ballkan”, masat shtrënguese si pasojë e pandemisë dhe reagimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për rimëkëmbjen ekonomike.

Ai thotë se në mbledhjen e përbashkët të qeverive do të tregojnë qartë se çfarë do të thotë fryma e bashkëpunimit rajonal.

“Përgatitjet janë në fazën finale, sipas informatave të fundit këtë javë, mendoj që në shtator mund të ndodh mbledhja e përbashkët në mes dy vendeve ku realisht mendoj që do të tregojmë haptas se cfarë do të thotë me të vërtetë fryma e bashkëpunimit rajonal, sepse do të kemi firmosje të disa marrëveshjeve dhe iniciativave të përbashkëta për t’u mundësuar qytetarëve tanë me të vërtetë një bashkëpunim më të madh dhe një prosperitet më të shpejtë sesa që e kanë pasur më parë”, thotë Bytyqi.


Përveç marrëveshjeve ekonomike, Bytyqi thotë se do të ketë nënshkrime për bashkëpunim pothuajse në të gjitha fushat.

“Të ndryshme, të fushave të ndryshme, prej aspektit të marrëveshjeve ekonomike, të bashkëpunimit rajonal të dy shteteve, pothuajse të gjitha institucionet janë të kyçura dhe do të ketë një sërë marrëveshjesh që do të firmosen por janë përgatitjet e fundit duke u bërë, mendoj që shumë shpejtë do të bëhet e ditur edhe në publik”, thotë ai.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike në Maqedoninë e Veriut thotë që së shpejti do të bëhet i ditur vendi ku do të mbahet mbledhja dhe prioritet e saj.

Lexo edhe

Video