Investimet e KEDS po shtrihen në shumë fshatra të Vushtrrisë

Fshatrat Oshlan, Pantinë, Shtitaricë, Duboc, Beçiq, Galicë dhe Akrashticë të Komunës së Vushtrrisë po bëhen me rrjet të ri elektrik nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike. Investimi në largpërçuesin 10 kV të stacionit hekurudhor do të jetë në një distancë prej 5.5 km, ndërkaq i gjithë investimi do të kushtojë mbi 70 mijë euro.

Përmes këtij investimi do të bëhet largimi i shtyllave të vjetra që kanë qenë të vendosura në zona fushore dhe do të bëhet vendosja e shtyllave të reja nga betoni në afërsi të rrugës, në këtë mënyrë KEDS do të ketë edhe më të lehtë intervenimin në rast të ndonjë avarie.

Adlum Ramadani, zyrtar për komunikim në KEDS, tha se përmes këtij investimi po rritet siguria në furnizim për shtatë fshatra të Komunës së Vushtrrisë.

“Gjendemi këtu në fshatin Oshlan të kësaj komune ku tashmë ekipet tona janë duke punuar dhe duke realizuar punimet investive në largpërçuesin 10 kV të stacionit hekurudhor, pra një largpërçues i tensionit të mesëm, i cili furnizon disa fshatra. Përmes këtij investimi përpos që po rritet siguria në furnizim me energji elektrike kualitative, njëkohësisht po bëhet edhe dislokimi i gjendjes ekzistuese të rrjetit përskaj rrugës pasi që më herët kjo linjë ka kaluar në zona fushore dhe zona të pa qasshme për makineritë e rënda të ekipeve tona. Andaj edhe intervenimi në kohë avarie ka qenë pothuajse i pamundur, gjë që ekipet tona janë obliguar që gjithë punën ta kryejnë fizikisht, ndërkaq me përfundimin e këtij investimi intervenimi do të jetë më i shpejtë”, tha ai.

Ramadani teksa tregoi për vlerën e investimit, tha se nga i njëjti përfitojnë mbi 3 mijë banorë të këtyre fshatrave.

“Investimi që po realizohet në këtë largpërçues përfshin një distancë prej rreth 5.5 km, i cili do të kalojë diku në 7 fshatra, ku përfshihen fshatrat Pantinë, Shtitaricë, Duboc, Beçiq, Galicë, Akrashticë dhe fshati Oshlan ku aktualisht gjendemi. Me realizimin e këtij investimi do të përfitojnë rreth 3 mijë banorë të këtyre fshatrave, ku në total vlera e investimit parashihet të jetë rreth 70 mijë euro dhe kësisoj një herë e mirë po i bëhet zgjidhje furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e kësaj ane”, u shpreh ai.


Banorët e këtyre fshatrave e kanë mirëpritur investimin që KEDS është duke realizuar, duke thënë se përveç që do të eliminohet problemi i ndërprerjes së energjisë elektrike do të rritet edhe siguria në komunitet.

Banori i fshatit Oshlan, Brahim Gjaka, tha se ky fshat është ndër të parët që është elektrifikuar në Komunën e Vushtrrisë, e që atëherë nuk është investuar më.

Ai u shpreh mirënjohës për investimin e KEDS-it, për çka tha se tashmë do të ndjehen edhe më të sigurt.

“Ky fshat është elektrifikuar në vitin 1962-1963, zakonisht është marrë nëpër Balincë ka ardhë në fshatin Oshlan. Mirëpo ai investim është bërë kryesisht vetanak nga të gjithë qytetarët e Oshlanit dhe mund të them kemi qenë fshati i parë në Komunën e Vushtrrisë që kemi pasur rrymë elektrike, fshatrat e tjerë nuk kanë pasur për rreth. Tani me ardhjen e këtij largpërçuesi të tensionit të lartë jemi të kënaqur shumë dhe le që i ka dhënë një pamje të bukur rrugës dhe fshatit, por tash e tutje nuk po kemi kurrfarë problemi me rrymë elektrike”, deklaroi ai.

Edhe banori tjetër i fshatit Oshlan, Baki Gjaka, u shpreh se me intervenimet në rrjet që KEDS ka realizuar nuk do të kenë më probleme me energji elektrike.

“Sa i përket rrjetit elektrik kemi pasur probleme gjithnjë, arsyeja e problemeve ka qenë se tensioni i lartë ka qenë nëpër ara, nëpër livadhe që ka ardhur prej fshatit Liqej, Balincë për fshatin Oshlan, ky rrjet është ndërtuar në vitet e 60. Sot është përmirësuar dukshëm, KEDS ka intervenuar tash na kanë pru rrjetin prej … Pantinës, na ka ardhë skaj rrugës qendrore ku mendoj që KEDS nuk do të ketë më probleme për intervenim gjatë dimrit…Shtyllat kanë qenë shumë të vjetra, tash janë duke u vendosur shtyllat e betonit ku siguria e banorëve është shumë më e madhe dhe shumë më e mirë”, tha ai.

Përveç këtyre shtatë fshatrave të Komunës së Vushtrrisë, KEDS po investon edhe në fshatrat e tjerë të kësaj komune.

Lexo edhe

Video