Mbi 51 % e qytetarëve të kënaqur me punën e kryeministrit në muajin prill
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

51,5 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e kryeministrit, Albin Kurti. Kështu thuhet në matjet e Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP). Rritje e kënaqshmërisë është shënuar edhe për punën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca dhe presidentes, Vjosa Osmani. Në lansimin e edicionit të 24-të, të kësaj përmbledhje, u tha se gjetjet tregojnë për perceptimin e qytetarëve në çështjet socio-ekonomike, sigurinë, mjedisin dhe çështjet politike.

Anketat pasqyrojnë opinionin e mbi 1300 të anketuarve mbi 18 vjeç në Kosovë. Ndërkaq, gjetjet e raportit bazohen në të dhënat e mbledhura nga 4 deri më 25 prill 2023, në gjithë Kosovën.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros tha se të dhënat e këtij raporti paraqesin matjen e perceptimit për çështje të ndryshme.

“Sot, siç ka qenë në të kaluarën, do t’iu prezantohen të dhënat e serive kohore për treguesit që janë mbledhur nga data 4 deri më 25 prill të këtij viti. Këto do t'iu tregojnë një matje të perceptimit të njerëzve për çështje të rëndësishme, duke përfshirë politike, sociale, ekonomike, sigurinë, mjedisin e shumë të tjera”, tha ai.

Alisa Hasani nga UNDP tha se në këtë matje kanë marrë pjesë mbi 1300 qytetarë. Ajo shtoi se të dhënat nga anketa e opinionit e prillit, tregojnë se mesatarisht, kënaqshmëria e qytetarëve në institucionet qendrore të Kosovës, është rritur për 5,9 për qind.

“Kënaqshmëria në kryeministrin është rritur me përqindje është 51,5 për qind. Rritje kemi parë edhe në parlament me 46,4 për qind të kënaqur. Kur është fjala për kryeparlamentarin, është shënuar një rritje me 58,3 për qind të të anketuarve që janë shprehur se janë të kënaqur me punën e kryeparlamentarit është një rritje prej 6 për qind me punën e kryeparlamentarit. Gjithashtu, rritje është parë edhe në gjykata dhe në prokurori, të dyja me 21 për qind të njerëzve që janë të kënaqur me punën e tyre. Megjithatë, e njëjta kënaqshmëri nuk është përkthyer në kënaqshmërinë e njerëzve me drejtimin politik; i njëjti numër i të anketuarve që janë të kënaqur me drejtimin politik këtë vit është 23.2 për qind, megjithatë përqindja e atyre që janë shumë të pakënaqur apo të pakënaqur me drejtimin politik ende mbetet shumë e lartë me 44.6 për qind të pakënaqur me drejtimin politik”, tha ajo.

Papunësia dhe varfëria, janë dy problematikat më të theksuara të cilat vlerësohen nga mbi 1300 qytetarët e anketuar në kuadër të këtij raporti.

Në matjet e Pulsit Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), të anketuarit janë pyetur edhe për drejtësinë tranzicionale.

Në këto gjetje thuhet se ka shënuar rënie të numrit të të anketuarve që perceptojnë se punësimi në institucionet publike, bëhet në baza meritore.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024