Mbi 400 mijë turistë në 6 muaj në Berat, të orientuar drejt sportit të aventurës dhe degustimit
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Qyteti i një mbi një dritareve me bukurinë e tij arkitekturore por edhe me monumentet e shumta kulturore ka shënuar një ‘bum’ të turistëve vendas e të huaj gjatë 6 muajve të parë të këtij viti.

Në 3-mujorin e parë të vitit, siç Silvi Merdani, Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në Shqipëri theksoi se Berati kishte 50 mijë vizitorë.

Ndërsa në 6 muaj, janar-qershor, në qytetin e Beratit ka pasur një fluks të shtuar turistësh, krahasuar me vitet e tjera.

“Në periudhën janar-qershor qytetin e Beratit e kanë vizituar mbi 400 mijë vizitorë vendas e të huaj, shifër që pritet të dyfishohet deri në fund të këtij viti”, tha sot Merdani për ATSH-në, transmeton KosovaPress.

Merdani tregon se përveç vizitave në kalanë historike dhe lagjet muzeale Mangalem e Goricë, turistët këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Sipas saj, Berati mbahet si kryeqendra e kantinave të verës së mirë dhe festivali promotor i kësaj vere duket se e ka bërë efektin.

“Këtë vit ka qenë shumë e preferuar degustimi në kantina. Sipas analizës tonë, Festivali i Verës që i kalon kufijtë e Shqipërisë ndoshta ka ndikuar. Një tjetër pikë që na bën krenarë është edhe zhvillimi i sportit të aventurës. Turistët preferojnë këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën”, tha Merdani.

Turistët e huaj janë kryesisht nga Holanda, Franca, Belgjika, Italia, Spanja, etj.

Turizmi i aventurës, shton Merdani,  shkon paralel në Beratin historik me turizmin eksplorues të një ekzistence dhe kulture mijëra vjeçare dhe kjo është një pikë e rëndësishme e këtij sezoni.

Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi qe kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.

Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024