Mbi 3 mijë të vdekur nga aksidentet në trafik për 24 vjet
Lajme
Lexohet për: 2 min.
6 ditë më parë
Linku u kopjua
Për herë të dhjetë, Kosova i bashkohet vendeve të tjera në shënimin e Ditës Botërore të Përkujtimit të viktimave në aksidentet e trafikut rrugor, me ç’rast akademia “Tempulli” ka organizuar një tryezë diskutimi.
Numri i aksidenteve në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, shkaktarët dhe çështje të tjera, ishin ato që u diskutuan nga ekspertë të kësaj fushe.
Aty u tha se numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie brenda dhjetë muajve të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Drejtori i Akademisë “Tempulli”, Muhamed Krasniqi tha se këtë vit motoja e aktiviteteve është “Atë ditë”. Ai tregoi se për herë të parë këto lloje të aktiviteteve kanë filluar në vitin 2015, derisa prezantoi historikun se çfarë i ka karakterizuar ato.
Drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi bëri të ditur se në njëzetekatër vjetët e fundit mbi 3 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Departamentin për patentë-shofer në Ministrinë e Mjedisit, Fejzulla Mustafa tha se Kosova qëndron më mirë sa i përket numrit të viktimave nga aksidentet në një milion banorë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.
Profesori në Akademinë “Tempulli”, Mevlan Bixhaku, tha se Kosova qëndron më mirë në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket bilancit të viktimave si pasojë e aksidenteve në trafik.