Mbahet në Athinë Forumi i Biznesit Greqi-Kosovë

Mbahet në Athinë Forumi i Biznesit Greqi-Kosovë

Ngjarja e përbashkët me pjesëmarrje të bizneseve kosovare dhe greke, me organizim të Agjencisë për Promovimin e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Athinës, filloi me fjalimet përshëndetëse të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike dhe Hapje, Kostas Fragogiannis.

Ministria e Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit nga KIESA, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë  me Enterprice Greece, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Ministrja Hajdari tha se Forumi i Biznesit paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike në mes Greqisë dhe Kosovës dhe përmendi vizitat e fundit më të shpeshta zyrtare në nivel politik ndërmjet dy vendeve.

“Greqia është një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën, dhe sot jemi në Athinë, një nga qytetet më të vjetra në botë, së bashku me ndërmarrësit tanë me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorë të industrisë së drurit, tekstilit, ndërtimit, dizajnit grafik, energjisë së ripërtërishme, metalit, produkteve plastike dhe agro-produkteve. Prezenca jonë sot në Athinë  është për të përcjellë përkushtimin e qeverisë së Kosovës së bashku me ndërmarrësit tanë, që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm dhe me përfitime reciproke” tha Hajdari.


Ministrja Hajdari potencoi zotimet dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës, duke qenë gjithmonë e orientuar drejt BE-së me zbatimin e suksesshëm të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA) dhe siguroi se do të jetë gjithmonë me shikim nga Perëndimi.

Ajo solli në pah sektorët industrialë kryesorë dhe në rritje, që janë me potencial plotësues në zinxhirin rajonal të furnizimit dhe i njoftoi për veprimet e Qeverisë, që kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit për të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve  në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, Zëvendësministri Fragogiannis theksoi përkushtimin e Greqisë për thellimin e raporteve me Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e bashkëpunimit reciprok në mes dy vendeve për zhvillim ekonomik dhe rajonal. Ai theksoi dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes Greqisë dhe Kosovës në 5 vitet e fundit dhe shprehi gatishmërinë në arritjen e rezultateve konkrete në projekte me interes të përbashkët për të dy vendet.

Forumi u përmbyll me takimet e rrjetëzimit të bizneseve kosovare – greke, të cilat shkëmbyen përvojat dhe janë potencial për krijimin e partneriteteve dhe të rritjes së bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Greqi.

Lexo edhe

Video