Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar 18 mijë e 285 nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin. Këtë vit sipas njoftimit të MASHTI-t Provimin e Maturës e kanë kaluar 73.3% e maturantëve.
Arritshmëria mesatare në gjuhë amtare është 58.8%, në gjuhë angleze 54.4% në matematikë 41.1% dhe në lëndën zgjedhore 47.3 %.
Afati i ankesave është deri më 5 korrik 2024 kurse rezultati i ankesave publikohet me 8 korrik 2024.
“Të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur kriterin prej 40% mund të hyjnë në afatin e gushtit i cili organizohet me 31.08.2024. MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre”, thuhet në njoftim.