Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) u ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit që nga nesër t’i kthehen procesit të rregullt mësimor, duke përkujtuar se e drejta e fëmijëve për shkollim është e garantuar me konventa ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Kosovës.
Në një postim në Facebook, Ministria e Arsimit thotë se humbja e mësimit për shkak të grevës së mësimdhënësve është cenim i së drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme.
Në kushte të tilla, pezullimi i mëtutjeshëm i procesit mësimor sipas MASHTI-t paraqet shqetësim serioz dhe veprim me pasoja afatgjate për nxënësit e të gjitha grup-moshave.
Për më tepër, MASHTI thotë se ka indikacione se individë të caktuar nga hierarkitë politike apo të qeverisjes lokale, janë duke ushtruar presion të fuqishëm te mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollave për të mos filluar puna.
MASHTI kërkon përfshirjen e mekanizmave kompetent, autoriteteve publike, gjyqësore, Avokatit të Popullit, OSHC-ve që në kuadër të kompetencave që kanë të dalin me qëndrime të qarta, propozime dhe rekomandime për balancimin e drejtë në mes të drejtave të palëve të përfshira në çështje, gjithnjë duke marrë parasysh rëndësinë e së drejtës në arsim që përfshinë rreth 320 mijë nxënës.
“Duke e marrë me seriozitet obligimin tonë për realizimin e plotë të së drejtës për arsim, por edhe përmirësimin e kushteve dhe kompensimin e mësimdhënësve, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira, që të rishikojnë dhe balancojnë interesat dhe t’i kthehen që nesër procesit mësimor”, përfundon komunikata.