MASHTI ka nisur punën për rishikimin e udhëzimit administrativ për lirimin e studentëve nga pagesa e semestrave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka nisur punën për rishikimin e udhëzimit administrativ për lirimin e studentëve të nivelit bachelor dhe master nga pagesat për regjistrimin e semestrit.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se ideja e këtij rishikimi është që studentët e nivelit bachelor dhe master të lirohen nga pagesat me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë.

Po ashtu, Pupovci theksoi se do të ketë lehtësime edhe për studentët e nivelit të doktoratës.

“Ka filluar puna në rishikimin e udhëzimit administrativ përkatës për aplikimin e pagesave të studentëve në universitetet publike. Ideja është që studentët e nivelit bachelor dhe master të lirohen nga pagesat me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë dhe në këtë mënyrë vihen në pozitë të barabartë dhe njëkohësisht nxiten që t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre në mënyrë që të mos shpenzojnë kot për përsëritje të semestrit. Do të ketë disa lehtësime edhe për studentët e nivelit të doktoratës, të cilat për momentin jemi duke i shqyrtuar”, tha ai.

Zëvendësministri deklaroi se si ministri po vazhdojnë të bëjnë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili tha se beson që do të fillojë në kushte normale.

Deri më tani ai tha se kanë hartuar draft-kalendarin për vitin shkollor 2021/2022, i cili tha se është në proces të konsultimit.


Pupovci tha se regjistrimi i nxënësve për klasat e 10-ta si në shkollat profesionale ashtu edhe në gjimnaze ka përfunduar sa i përket afatit të parë, ndërkaq bëri të ditur se afati i dytë për regjistrim do të përmbyllet me 23 gusht.

“Tani më  i kemi filluar procedurat sepse qeveria ka ndarë buxhetin e nevojshëm për blerjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2021/2022, ndërsa ministria ka grumbulluar tani më të dhënat për tekstet alternative të cilat mësimdhënësit i kanë përzgjedhur për t’i përdorur këtë vit shkollor. Vetëm t’iu them se në këtë vit shkollor do të përdoren këto tekste alternative për klasat 1, 2, 6 dhe 7, të cilat nuk janë përdorur në vitet shkollore të kaluara, pra shkollat do të kenë mundësi që ta bëjnë përzgjedhjen e tyre ndërsa ne do t’i furnizojmë me ato tekste. Ka përfunduar vlerësimi i dorëshkrimeve për tekstet e reja shkollore për klasat 3, 8 dhe 12 dhe tani këto tekste janë në proces të rishikimit nga autorët, pra ata janë duke i adresuar vërejtjet që janë bërë nga recensentët dhe pasi të përfundojnë këto procedura do të shpallet edhe lista përfundimtare e teksteve shkollore të cilat pastaj edhe do të botohen dhe do të shpërndahen nëpër shkolla”, tha ai.

Ai potencoi se është në proces të finalizimit Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim ku theksoi se  besojnë që brenda muajit gusht do të procedohet për miratim në qeveri.

Sa i përket procesit të vaksinimit të mësimdhënësve, ai tha se presin që gjatë kësaj kohe të pushimit të imunizohen të gjitha mësimdhënësit.

“Është një proces i cili ka filluar në qershor dhe prej fillimit mësimdhënësit kanë qenë kategori prioritare, për momentin nuk i kemi të dhënat e plota për vaksinimin e mësimdhënësve, sepse siç e dini shkollat i kemi në pushim. Por, po shpresojmë që deri ka 20 gushti t’i sigurojmë dhe presim që gjatë kësaj periudhe të pushimeve vërtetë të gjithë mësimdhënësit të vaksinohen dhe të fillojmë vitin shkollor të mbrojtur dhe me shëndet të plotë”, tha ai.

MASHTI do të organizojë me 3 gusht testin e arritshmërisë për nxënësit e Komunës së Kamenicës që e kanë përfunduar klasën e nëntë me vonesë, ndërsa afati i dytë për testin e maturës është 28 gusht.

Lexo edhe

Video

error: