MASHTI dhe Down Syndrome Kosova me marrëveshje bashkëpunimi

MASHTI dhe Down Syndrome Kosova me marrëveshje bashkëpunimi

Me qëllim të gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara (sindromë Down) në sistemin e arsimit dhe ofrimit të arsimit cilësor bazuar në nevojat individuale, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës ‘DownSyndrome Kosova (DSK)’, Sebahate Beqiri, kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi.

Përmes kësaj Marrëveshje, MAShTI dhe DSK janë pajtuar të bashkëpunojnë në zbatimin e aktiviteteve për nxënësit me sindromën Down në kuadër të Planit të Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2021-2023.


Siç thuhet në njoftimin e MASHTI-t, ministrja Nagavci theksoi se gjithëpërfshirja është prioritet, e po ashtu edhe avancimi i shërbimeve në arsim për të gjithë fëmijët, veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë, duke vënë në dispozicion më shumë resurse humane dhe financiare.

Ministrja falënderoi Shoqatën për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm në këtë drejtim, ndërsa theksoi gatishmërinë e saj dhe të MAShTI-t për bashkëpunim në çdo kohë.

Ndërsa, drejtoresha e DSK, Sebahate Beqiri, falënderoi ministren Nagavci për përkrahjen dhe theksoi se Shoqata është e gatshme të japë maksimumin me kapacitetet që ka, në mënyrë që së bashku me institucionet të ofrohet trajtim më i mirë dhe shërbime cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuar, e veçanërisht për ata me sindromën Down.

Lexo edhe

Video