MASh ndanë çmimin vjetor “Shaban Jashari”

MASh ndanë çmimin vjetor “Shaban Jashari”

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka organizuar ceremoninë tradicionale të ndarjes së çmimit “Shaban Jashari”, i cili i jepet mësimdhënësit të dalluar për kontribut në fushën e arsimit dhe edukimit. Mësimdhënësja e Shkollës së Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, Shemsije Zeqiri nga Mitrovica këtë vit është nderuar me këtë çmim në shenjë respekti për përkushtimin në punë.

Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, me këtë rast ka thënë se, është nderë i veçantë që të jetë në mesin e mësimdhënësve të dalluar për të shënuar festën e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.

Sipas komunikatës për media të MASh, Zëvendësministri Rexhaj ndër tjera tha se nuk mund të gjendet një grup tjetër njerëzish më i përshtatshëm se sa mësimdhënësit e dalluar, për të shënuar këtë festë të rëndësishme. Ndër të tjera, ai tha se roli i mirëfilltë i mësimdhënësit në veçanti është kuptuar gjatë vitit të fundit dhe pas një viti të vështirë shkollor mund të thuhet se ja kemi dalë, përkundër sakrificave dhe vështirësive që kemi pasur.


Fituesja e çmimit “Shaban Jashari”, Shemsije Zeqiri, me këtë rast tha se, është e emocionuar pasiqë ky është çmimi më i lartë për mësimdhënie. Zeqiri tha se, do të vazhdojë punën me përkushtim të madh, ashtu siç ka punuar deri më tani.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe takimi i rregullt me drejtorët e Drejtorive Komunale

të Arsimit. Në takim u diskutua për mbarëvajtjen e procesit mësimor në kohë pandemie dhe vazhdimin e mësimit sipas skenarit A, por edhe gatishmërinë për zhvillimin e planit mësimor sipas skenarëve B dhe C.

Zëvendësministri Rexhaj tha se duhet shfrytëzuar kjo kohë deri në përfundim të vitit shkollor për të përmirësuar cilësinë në arsim.

Lexo edhe

Video