Masakra në Reçak dëshmohet përmes fotografive

23 fotografi të dëshmive së krimeve serbe në Reçak janë ekspozuar në 23-vjetorin e kësaj masakre sot në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Në hapje të ekspozitës presidentja Vjosa Osmani tha se regjimi serb kishte synim të zhdukte shqiptarët nga faqja e dheut.

“Masakrat që janë kryer kundër popullit tonë kanë qenë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme mesa që shkojnë përtej imagjinatës njerëzore. Prandaj është gjithmonë vështire që te gjenden fjalët për të përshkruar tmerrin që ka përjetuar populli ynë, përderisa sundoheshim nga regjimi gjenocidal serb. Edhe Reçaku, por edhe masakrat tjera anekënd Kosovës po e them serish kanë dëshmuar që ai regjim kishte për qëllim që të na zhdukte nga faqja e dheut, por ishte sakrifica e madhe e popullit tonë, mbështetja e miqve tanë që nuk lejuan një gjë të tillë. Dhe këtu Reçaku ka qenë pikënisja e vendit ku filloj të formësohej liria jonë”, ka thënë Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se pa dokumentimin e këtyre masakrave përmes fotove, bota nuk do ta dinte se çka kishte përjetuar Kosova.

“Jo vetëm që duhet të kujtojmë vazhdimisht tragjedinë edhe gjenocidin që na ka ndodh neve si popull, por mbi të gjitha duhet t’i respektojmë edhe ata të cilët ishin në frontin e luftës për dokumentimin e këtyre krimeve. Pa dokumentimin e tyre, as bota nuk do ta dinte se çfarë masakrash po përjetonin shqiptarët gjatë viteve të luftës 1999, lufta ka pas shumë dimensione, e ka pasur edhe dimensionin e pushkës edhe dimensionin ushtarak, por edhe dimensionin e dokumentimit dhe faktimit për t’i treguar botës se në Kosovë është duke ndodhur një gjenocid i përmasave të papara”, ka thënë ai.

Ndërsa shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla tha se janë duke punuar për ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

“Po ashtu siç kemi premtuar, jemi duke punuar edhe opinioni do ta njoftojmë me rezultatet”, tha ajo.

I mbijetuari i masakrës në Reçak, Agron Mehmeti tha se fotot e fotoreporterit Hazir Reka i ka përdorur në Tribunalin e Hagës, si dëshmitar kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq.


“Këto foto nuk janë fotot gjithsej sa kanë bërë fotoreporterët atë ditë, pra një pjesë e fotove të cilat janë me të shikueshme për opinionin e gjerë 23 vjet pas luftës. Fotot e Hazirit janë përdor edhe në Tribunalin e Hagës si provë e dëshmisë në prokurori kundër të akuzuarit Sllobodan Milosheviq. Unë kam pas atëherë fatin të jem dëshmitar dhe ta prezantoj edhe ngjarjen e 15 janarit. Ngjarjen e bashkëpunimit që kemi pasur me Hazirin, kolektivin, Nerxhivanen të atyre pamjeve makabre, por fatkeqësisht nuk ka marrë dënimin e merituar Millosheviqi. Tjerë kriminelë që kanë kryer krime në Reçak dhe në mbarë Kosovën, ata janë të shëtitur lirshëm edhe 23 vjet pas masakrës së Reçakut”, ka thënë ai.

Fotoreporteri Hazir Reka ndërkaq tregoi për pamundësinë e ekspozimit të të gjitha fotografive pasi që ato janë të rënda.

“Tash para 23 vjetësh ka qenë shumë e  rëndë për banorët e Reçakut, ka qenë shumë e rëndë edhe për neve për ta shkuar për ta regjistruar ngjarjen dhe p’r t’u kthyer… Në fakt, edhe shumë fotografi nuk kemi mund t’i ekspozojnë se janë shumë të renda, por jemi munduar për publikun për me qenë pak më të lehta se ato tjera janë shumë më të renda. Nuk janë skena të filmit, por janë ngjarje që kanë ndodhur në Reçak”, ka thënë ai.

Edhe Alban Bujari fotoreporter i masakrës në Reçakut thotë që është vështirë për te folur për Reçakun.

“Besomëni krejt çka kam mund të flas për Reçakun, m’u kanë lidh fjalët në fyt, kështu që për ta transmetuar atë dhimbje shpirtërore, ne kemi menduar ta bëjmë këtë ekspozitë me fotografi me atë çka kemi parë ne”, tha ai.

23 vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, banorët e Reçakut të Shtimes u zgjuan herët në mëngjes nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Atë ditë në këtë fshat, që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje, ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Presidenti i SHBA-së Bill Clinton përmes një video-mesazhi dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke thënë se kjo ngjarje ishte një veprim vrasjeje e qëllimshëm dhe pa dallim, i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës.

Video