24 shqiptarët e vrarë nga forcat serbo-jugosllave në masakrën e Likoshanit, më 28 shkurt 1998, u përkujtuan në përvjetorin e 28-të të kësaj ngjarje, që konsiderohet se shënon edhe fillimin e luftës së armatosur në Kosovë dhe kthesën historike drejt çlirimit.
I mbijetuari, Xhevdet Ahmeti, rrëfeu për Kosovapress momentet e asaj dite, duke theksuar se rrethimi i hekurt nga forcat e Sllobodan Millosheviqit dhe sulmi mbi familjen Ahmeti u përfundoi me ekzekutim masiv të meshkujve të shtëpisë.
“Kjo ditë e 28 shkurtit para vitit 1998, më kujtohet si sot. Atë ditë rastësisht nuk ndodhesha në shtëpi, isha në Prishtinë dhe me t'u kthyer në Drenas, kuptoj prej dajës tim Remzi Dervishi se në Likoshan ka pasur të shtëna mes forcave të UÇK-së dhe policisë serbe. Atë natë qëndrojmë bashkërisht me dajën deri vonë në malin e Kamenicës, ndërsa në mbrëmje kthehemi bashkë me të dhe Bujarin. Të nesërmen në mëngjes kthehemi në pozicionet e njëjta dhe prej aty shihej se kishte një rrethim të hekurt të gjitha hyrje-daljet e fshatit Likoshan, por koncentrimi i veçantë ishte në familjen Ahmeti”-
Kur kishte ardhur në Likoshan dhe kur u fut në shtëpi, kuptoi se ajo ishte bërë cak i sulmit të forcave serbeAi me dhimbje tregon se kush u vra nga familjarët e tij më të ngushtë.
“Domethënë atë ditë janë vrarë babai im Ahmeti, axha Gani, axha tjetër Elmiu, djali i axhës Hamza, tre vëllezërit e mi Dritoni, Naimi dhe Shemsiu, dhe tre djemtë e axhës Elmi, Bastriu dhe Elhamiu. Atë ditë ka qëlluar edhe një musafir në familjen tonë, Behram Fazliu…Janë vrarë 10 anëtarë të familjes Ahmeti, musafiri Behram Fazliu, në familjen Gjeli janë vrarë Muhamet dhe Naser Gjeli, dhe janë vrarë edhe të tjerë, vëllezërit Sejdiu, Rexhepi, në familjen Nebihu. Atë ditë janë vrarë 24 shqiptarë”-
Rama thotë se lagjja e tij, Rama, ndonëse e vogël, ka dhënë tre të vrarë gjatë luftës, duke theksuar se kjo trevë e Kosovës është e mbushur me varre dëshmorësh e martirësh.
“I kanë pasur 18 dhe 20 vjeç kur i kanë vrarë. Ne nuk jetojmë këtu fare, vendi i parë ku ndalemi së pari është këtu, domethënë te këta vëllezërit. Domethënë çdo vit kur vjen ky përvjetor është një emocion shumë i rëndë për ne si familje. Domethënë i kemi dy vëllezër të vrarë këtu, është shumë rëndë”- tha Kamberi.
Masakra e Likoshanit dhe Çirezit konsiderohet si një nga ngjarjet që shënoi fillimin e hapur të luftës në Kosovë, ndërsa 28 shkurti 1998 vazhdon të kujtohet si ditë dhimbjeje dhe krenarie për familjarët e të rënëve, por dhe për të krejt shqiptarët në Kosovë e kudo që ata jetojnë.
