Martiri i gjuhës shqipe
Lajme
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Petro Nini Luarasi u lind më 22 prill 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht 1911.

Ai ishte prift, shkrimtar, mësues. Petro punoi si drejtor dhe mësues i shkollës së parë shqipe të motrave Gjerazi në Korçë më 1887. Në vitin 1904, emigroi në SHBA ku qëndroi disa vite si anëtar aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Luarasi ishte delegat në Kongresin e Manastirit që sanksionoi krijimin e alfabetit shqip më 1908. Për atdhetarizëm, mësimin e gjuhës shqipe dhe veprimtari shoqërore, Petro Nini u përndoq si nga turqit e rinj, ashtu edhe nga Patriarku Ekumenik ortodoks i Konstandinopojës.

Përparimi i shkollës shqipe të Negovanit, veprimtaria e tij për themelimin e një komiteti për bashkimin e gjithë çetave në Shqipërinë jugore dhe sidomos libri ”Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”, që goditi rëndë politikën shoviniste te klerit grek në Shqipëri, bënë që më 17 gusht 1911 agjentë e dhespotit të Korçës Joakim ta helmonin, të shpallnin se vdiq nga kolera dhe të tentonin për t’ia djegur edhe kufomën me gëlqere. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Petro Nini Luarasit urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes Kombëtare, luftëtar i paepur për zgjimin, emancipimin dhe prosperimin e kombit shqiptar, për çlirimin nga zgjedha osmane dhe formimin e shtetit komb të shqiptarëve, luftëtarit të madh të krijimit të arsimit kombëtar si një nga shtyllat e çështjes kombëtare, vepër për të cilën dha edhe jetën.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024