Papa Françesku e ka nderuar të mërkurën Kardinalin shqiptar, Ernest Simon Troshani, i cili ka qenë i burgosur për tri dekada nga regjimi komunist. Për këtë ka njoftuar edhe kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka shkruar në Facebook se papa Françesku nderoi kështu “martirin e gjallë”, që ka vuajtur për tri dekada torturat e burgjeve komunise.
Në fund të Audiencës së Përgjithshme të kësaj jave, Papa Françesku la mënjanë fjalët e tij të përgatitura dhe i ofroi një përshëndetje të gjatë, pa shkrim, një prej vizitorëve të tij, raporton “Vaticannews”, transmeton KosovaPress.
Fjalët e Papës
“Të gjithë ne kemi lexuar, kemi dëgjuar, historitë e martirëve të hershëm të Kishës”, tha ai. “Edhe këtu, ku është Vatikani tani, ka një varrezë dhe shumë janë ekzekutuar këtu”.
“Por, edhe sot”, theksoi Papa, “ka shumë martirë në mbarë botën: shumë, ndoshta më shumë se në fillim. Ka shumë të persekutuar për besimin e tyre”.
Kardinali Simoni “vazhdon të dëshmojë”, theksoi Papa. “Ai është tani 95 vjeç dhe vazhdon të punojë për Kishën pa u dekurajuar”.
Pas lirimit nga burgu në vitet 1990, Kardinali Simoni i fali rojtarët e tij dhe rifilloi shërbimin e tij si prift, me një fokus të veçantë në promovimin e pajtimit në Shqipërinë postkomuniste.
Njëzet e tetë vjet burgim
I lindur në fshatin Troshan, në veri të Shqipërisë, në vitin 1928, Ernest Simoni filloi studimet për priftëri brenda urdhrit françeskan kur ishte vetëm dhjetë vjeç.
Pavarësisht kësaj, Simoni vazhdoi studimet e tij teologjike në fshehtësi dhe u shugurua klandestinisht meshtar në vitin 1956.
Në vitin 1963, pas meshës së Krishtlindjes, Simoni arrestohet dhe burgoset. Ai qëndroi pas hekurave për njëzet e tetë vjet, duke u përballur me izolimin dhe shumë vite punë të rëndë.