Marrëveshjet ndërkombëtare (s’)kalojnë, pozita kërkon nga opozita të reflektojë

Marrëveshjet ndërkombëtare (s’)kalojnë, pozita kërkon nga opozita të reflektojë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e që është tentativa e tretë pasi dy herë të tjera dështuan të bëjnë një gjë të tillë. Deputetët e PDK-së dhe AAK-së thonë se nuk do të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare pasi që Qeveria Kurti nuk po tregohet konstruktive për t’i sqaruar ato, por KosovaPress mëson nga burime brenda grupit parlamentar të LDK-së se kjo parti pritet të ndryshojë qëndrim dhe të votojë pro marrëveshjeve.

Ndërkohë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se argumenti i opozitës se nuk ka pasur qasje konstruktive nga pozita nuk qëndron. Ndërsa monitoruesit e punës së Kuvendit ftojnë për një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se mazhoranca duhet të tregohet më bashkëpunuese me pozitën, teksa mohon se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është si shenjë hakmarrjeje karshi Lëvizjes Vetëvendosje.

Beqa në një prononcim për KosovaPress thotë se me mosratifikimin e këtyre marrëveshjeve nuk rrezikohen të humbin fondet, teksa shton se në të kundërtën do t’i votonin.

“Këto janë marrëveshje që janë në implementim e sipër, nuk janë marrëveshje të reja. Nuk janë marrëveshje të reja, nuk kam parë asnjë marrëveshje të re, nuk rrezikohen me u humb fondet. Mendoj që qeveria duhet me qenë më bashkëpunuese me opozitën dhe me e gjet një gjuhë të përbashkët për t’i votuar marrëveshjet, jo me gjuhën e arrogancës. Të njëjtat marrëveshje kur ne i kemi sjellë t’i votojmë, e njëjta qeveri aktuale nuk i ka votuar shumicën prej tyre. Konsideroj se mazhoranca duhet të ndërrojë formën e bashkëpunimit dhe jo të thirret në numra… Në momentin që ka ndonjë marrëveshje që do t’i humbin fondet opozita do t’i përkrahë”, thotë Beqa.

Se vendimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të mos votuar për marrëveshjet ndërkombëtare nuk ka të bëjë me inate politike e thotë deputeti Pal Lekaj.

Ai thekson se AAK është e bindur që të mos i votojë këto marrëveshje ndërkombëtare derisa Qeveria Kurti të japë sqarimet e nevojshme.

“Sa i përket AAK-së, grupi parlamentar mendoj që nuk ka inate me askënd. Por, ne në bazë i analizojmë këto marrëveshje por deri më tani nuk na ka bindur Qeveria e Kosovës që janë të leverdishme për qytetarët e Kosovës. Ne i kemi analizuar në mënyrë analitike por e kemi parë që nuk ka specifikim të parasë që merret në huazim dhe për këto çështje nuk i kemi votuar dhe nuk do t’i votojmë deri sa të na sqarojnë për detajet e marrëveshjeve. Por në asnjë mënyrë politikisht nuk veprojmë”, thotë Lekaj.


Në anën tjetër, është pozita që nuk i pranon si të vërteta arsyet e partive opozitare për mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, thotë për KosovaPress se argumenti i opozitës se nuk ka pasur qasje konstruktive nga pozita nuk qëndron.

Ajo thotë se mungesa në mandatin e kaluar vetëm në kohën kur ka filluar funksionimi i qeverisë, e cila është vlerësuar të jetë jolegjitime nga Gjykata Kushtetuese, nuk i kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Argumenti i opozitës se nuk ka pasur qasje konstruktive nga pozita nuk qëndron për faktin se ne edhe me shefat e GP individualisht por edhe në mbledhje të kryesisë kemi kërkuar votimin. Në fakt, marrëveshjet ndërkombëtare janë dokumentet të cilat trajtohen në disa qeveri. Një numër i tyre ka filluar në vitin 2015 kur kanë filluar të negociohen dhe gjithashtu përfitimet janë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim… Shpresoj që do të reflektojnë dhe para se të shkojmë në pushimin veror të kemi mundësi të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare ashtu siç kërkohet me 2/3 e deputetëve në Kuvend”, thotë ajo.

Monitoruesja e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesë Haxhiu, thotë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka qenë problematikë për secilën legjislaturë, e sidomos në legjislaturën e 6 dhe të 7.

Ajo fton për qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës.

“Në atë kohë ka qenë LVV në opozitë dhe nuk ka shprehur vullnet për të bashkëpunuar në këtë drejtim e kjo tash po i kthehet në kohën kur tash është në pushtet. Ajo çka unë mendoj që është shumë e rëndësishme tek marrëveshjet ndërkombëtare është që është e pamundur që shumica parlamentare t’i kalojë ato vet. Nevojitet një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës, por e nisur nga shumica… E kjo i ka munguar Kuvendit ndër vite, nuk është një problem i ri, mungon kjo kultura e bashkëpunimit në çështjet që shkojnë përtej interesave dhe që ndikojnë në fakt në rritjen e mirëqenies se jetës së qytetarëve”, thekson ajo.

Ani pse në mënyrë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë folur për qëndrimin e tyre lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, burime brenda grupit parlamentar të këtij subjekti kanë bërë të ditur për KosovaPress se nesër pritet të mbahet mbledhja e GP, e si rrjedhojë edhe vendimi për të votuar marrëveshjet.

Lexo edhe

Video