Marrëveshja me Danimarkën, ministrja Haxhiu përplaset me deputetët opozitarë

Me përplasje dhe akuza është zhvilluar raportimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në komisionin për legjislacion, lidhur me nënshkrimin e letër-qëllimit me shtetin e Danimarkës për qendrën korrektuese në Gjilan. Ministrja Haxhiu tha se bashkëpunimi parashihet të zgjasë 10 vjet dhe mbështetja daneze do të jetë 15 milionë euro në vit, ku vetëm 5 milionë  është kosto e të burgosurve, ndërsa pjesa tjetër për sfera të tjera në vend.  Megjithëse partitë opozitare nuk theksuan se do të votojnë kundër kësaj marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend, të njëjtit vunë në mëdyshje qëllimin e saj.

Haxhiu para deputetëve tha se janë të interesuar të marrin sa më pak përgjegjësi pas transferimit të të burgosurve në menaxhimin e qendrës korrektuese në Gjilan.

“Duke marrë parasysh bashkëpunimin e mirë me Danimarkën dhe qëllimin që të fuqizojmë këtë bashkëpunim kemi konsideruar të pranojmë këtë marrëveshje. Do të vlejnë ligjet e Danimarkës, në rast të ndodhjes së ndonjë incidenti në qendrën në Gjilan për çështje administrative përgjegjësia i takon Danimarkës, ndërsa për çështje penale është diskutuar që këtë përgjegjësi ta ketë Kosova, kjo nuk është vendosur. Por, ne jemi të interesuar të marrim sa më pak përgjegjësi në këtë drejtim. Prandaj ne do të insistojmë që mos të marrim shumë përgjegjësi, pra përgjegjësinë ta ketë Danimarka. Momentin kur kjo marrëveshje ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, plotësohet edhe kushti për sovranitetin të cilin e adresove. Çfarëdo nënshkrimi para ratifikimit në Kuvend është shkelje e Kushtetutës… Gjashtë muaj para se një i burgosur të kryej dënimin ne vazhdojmë komunikimin me Danimarkën në kuptimin e përgatitjes së personit për të shkuar në Danimarkë, pastaj në vendin e origjinës”, tha ajo.

Pavarësisht se ministrja tha se kontaktet e para për arritjen e kësaj marrëveshje kishin filluar nën qeverinë Hoti, ish-zëvendëskryeministri, tashmë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj e mohoi një gjë të tillë.

Ai e konsideroi të gabuar, siç tha importimin e kriminelëve në Kosovë.

“Në qeverinë e kaluar ka mundur të ketë bisedë personale ministri i caktuar, por Qeveria s’ka qenë e informuar fare sa kam qenë unë zëvendëskryeministër për këtë iniciativë. Përderisa s’ka mundur të kalojë në procedura, pasi po e them me bindje se nuk kish kaluar. Arsyeja është se ne kemi bindjen që Kosova nuk është në situatë që të importojë kriminel, sado që mund të shitet si ide që po rritë bashkëpunimin me Danimarkën e kështu me radhë, por nuk është kjo kështu. Nëse shteti danez do të kishte interes që në Kosovë të fuqizojë sundimin e ligjit do t’na mbështeste në ngritjen e kapaciteteve dhe jo me na pru kriminelë. Po të kishte besim shteti danez në shërbimin korrektues tonin nuk do t’na sillnin edhe drejtorin e atij burgu, ata me menaxhu. Mos harroni që shteti danez është edhe njëri nga shtetet hezituese për liberalizimin e vizave për shkak të sundimit të ligjit. Prandaj do të isha i lumtur nëse do të kishim investim nga një kompani daneze, por jo për të sjellë kriminelë”, tha ai.

E habitur me këtë qëndrim të deputetit Selmanaj u shpreh ministrja Haxhiu.

“Është e habitshme se  keni qenë zëvendëskryeministër, apo jo dhe nuk keni informacione. Mund të mos iu mbaj mend për një gjë që keni bërë, prandaj po më vjen çudi dhe si ka mundësi që s’keni qenë të informuar për bisedimet që janë bërë për këtë marrëveshje. Por kjo nuk është përgjegjësi e imja, pasi në momentin që kam marrë kërkesë të tillë, të njëjtën ia kam adresuar kryeministrit”, shtoi ajo.  


Paqartësi për këtë marrëveshje shprehu edhe deputeti tjetër opozitar, Hajdar Beqa.

Ai kritikoi ekzekutivin se dëshiron të sjellë në Kosovë 300 kriminelë dhe me e paraqitë si zhvillim ekonomik.

“Unë nuk thash se jam kundër, as nuk thash se PDK-ja është kundër, kemi paqartësi dhe duam informata shtesë, është njeri i duhur që duhet të jap informata. Në mungesë të ndonjë marrëveshjeje të zhvillimit ekonomik po doni me shitë zhvillim ekonomik me na pru 300 kriminelë në Kosovë”, tha deputeti i PDK-së.

Atij i reagoi ministrja, e cila theksoi se ka shumë kriminelë që sipas saj kanë bërë milionat jashtëligjshëm edhe nuk janë në burg.

Derisa, siç tha ka të burgosur që nuk e kanë vendin aty, pasi janë të dënuar për pula dhe biçikleta.

“E more Hajdar sa kriminelin e kemi jashtë, e që ishte dashur të ishin brenda. Ndonjëherë me jepet përshtypje se ata që janë jashtë hiç nuk e kanë vendin aty. Për besë kur i shoh për pula dhe biçikleta, e tjerët që kanë bërë pasuri milionëshe (jashtëligjshëm) i ki jashtë. Hajdar e dina kush janë”, theksoi ajo.

Pro kësaj marrëveshje u shpreh deputeti i LVV-së në këtë komision, Artan Abrashi.

“Për Kosovën është lajm i mirë për dy aspekte. E para se Kosova po shihet si partner serioz të marrëveshjeve të tilla për shkak se është një praktikë e rregullt e vendeve me marrëdhënie të mira që në rastet e caktuara kur një vend ka probleme me mbipopullim me burgje të merr me qira tek një vend tjetër deri t’i ngritë kapacitet. Me vet faktin që Danimarka ka përzgjedhur Kosovën si partnere në këtë çështje është tregues se Kosova gradualisht po i plotëson kriteret për të dhënë shërbime çfarë kërkohen”, tha ai.

Marrëveshja me Danimarkën do të hyjë në fuqi vetëm pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës.

Lexo edhe

Video