Mandl në PE: Kosova ka paguar me gjak lirinë e saj, BE dhe SHBA ndihmuan

Lukas Mandl, deputet nga Austria në Parlamentin Evropian para votimit të Raportit për Kosovës nga Parlamenti Evropian, tha se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë liberalizim të vizave përkundër premtimeve të bëra.

Politikani austriak si mbështetës i madh i Kosovës, u shpreh se Kosova ka paguar me gjakun e saj lirinë, derisa BE dhe SHBA-të e ndihmuan për të fituar pavarësinë.


Mandl theksoi se populli i Kosovës me të vërtetë e mbështet anëtarësimin në BE më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për të ardhmen e Evropës. Sot po flasim për Republikën e Kosovës dhe raportin për Kosovën. Dua të them se Kosova ka paguar me gjakun e saj për lirinë e saj. BE dhe SHBA ndihmuan këtë vend për të fituar pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik, dhe ka sundimin e ligjit dhe e ka bërë këtë me shpejtësi të jashtëzakonshme. Është një demokraci e qëndrueshme dhe një vend shumë i shumëllojshëm. Po, sundimi i ligjit duhet të përmirësohet, por ka një Kushtetutë të fortë. Ky vend është njohur nga 100 vende, duke përfshirë edhe Izraelin. Por ky është një vend që ende nuk njihet nga një pakicë e vendeve të BE-së, dhe qeveritë e BE-së. Është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon liberalizim të vizave, janë bërë premtime ndaj këtij vendi, të cilat nuk respektohen, pastaj premtimet vendosen në prapavijë. Kështu ndodh me Republikën e Kosovës, por populli i Kosovës me të vërtetë e mbështet anëtarësimin në BE më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe mendoj se mund të mësohet shumë nga Kosova, kjo demokraci, më e reja në Evropë”, u shpreh Mandl./B.Ibishi/

Lexo edhe

Video