Mandati i Shqipërisë në KS të OKB-së, Xhaçka: Do të shfrytëzojmë këtë moment për të avancuar çështjen e Kosovës
Lexohet për: 5 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ky vit ka nisur mbarë për Shqipërinë, pasi nga sot do të nisë për herë të parë mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kësaj i është gëzuar ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila përmes një urimi ka thënë se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë moment për të avancuar çështjen e Kosovës.

Ajo ka shtuar se ky moment i shënuar veç tjerash është një mundësi për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshqasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë”, ka thënë ajo.

Mesazhi i plotë Xhaçkës:

Të dashur miq, vëllezër e motra shqiptarë kudo në rajon e botë,

Më lejoni t’ju uroj nga zemra një vit të mbarë për ju e familjet tuaja! Një 2022 ku me shpresë jeta do fillojë t’i rikthehet normalitetit pas 2 vitesh vërtet të vështira që na kanë testuar jo pak!

Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin.

Ky mandat nuk është një dhuratë që i ra Shqipërisë nga qielli. Një mandat në Këshillin e Sigurimit është diçka për të cilën vendet lobojnë e investojnë për vite e dekada. Të cilin mund ta fitosh vetëm nëse arrin të bindësh pjesën dërrmuese të vendeve të botës që je shtet vend serioz, që ke një diplomaci profesioniste e të besueshme, që ke diçka me vlerë për të kontribuar në diskutimet e mëdha globale. Prandaj sot, duhet të ndihemi të gjithë krenarë për diplomacinë shqiptare e për atë që ka arritur. Duhet të jemi po ashtu krenarë për faktin që sot Shqipëria shihet nga mbarë bota si një aktor serioz e i matur, me një politikë të qëndrueshme e të besueshme, një kontribues serioz në çështjet e sigurisë e paqes.

Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë.

Të dashur miq,

Shumë vjet më parë, kur u mor për herë të parë vendimi për të filluar procesin e lobimit për një vend në Këshillin e Sigurimit, gjithçka dukej si një ëndërr e pamundur. E çmendur madje. Por ja ku jemi sot dhe ajo që dukej e pamundur sot është realitet.

Unë besoj që kjo është prova më e mirë, që kur ne shqiptarët vendosim të punojmë, të gjithë së bashku, me durim, me përkushtim, për ne nuk ka asgjë të pamundur.

Le t’i qasemi 2022 e sfidave që na presin me po këtë frymë e po këtë vendosmëri dhe nuk kam asnjë dyshim që e ardhmja që do të ndërtojmë së bashku për familjet e fëmijët tanë do të jetë vërtet e bukur!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024