Mali i Zi prezanton ofertat turistike verore e dimërore në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

Për herë të parë, njëkohësisht marrin pjesë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit në Tiranë. Për herë të parë edhe shumë biznese turistike nga Mali i Zi kanë shpalosur ofertat e tyre turistike në sezonin veror dhe dimëror, para shumë vizitorëve nga bota.

Drejtori i organizatës lokale turistike në Kolashin, Aleksandar Vllahoviq, thotë se gjatë këtyre katër ditëve të panairit kanë prezantuar një nga vendet më të vizituara të Malit të Zi.

“Për herë të parë marrim pjesë në këtë panair, mund të them se gjatë sezonit dimëror në Kolashin të Malit të Zi kemi një numër të madh të mysafirëve nga Shqipëria dhe pikërisht për këtë kemi marrë pjesë në këtë panair për ta prezantuar në mënyrën më të mirë at që qyteti ynë ofron edhe para sezonit turistik dimëror”, thekson ai.

Në Pallatin e Kongreseve ku po marrin pjesë më shumë se 200 kompani të fushave të ndryshme, stenda e Kolashinit po ofron informacione për sezonin turistik dimëror në këtë vend.


“Në të njëjtën kohë prezantojmë ofertën turistike të qytetit të Kolashinit nga Mali i Zi, ku theksi është, le të themi, turizmi dimëror. Kolashini është një qytet që prej këtij viti ka ngritur disa kilometra shtesë pista skijimi, kështu që ne kemi dy qendra skijimi në qytet, akomodim hotelerie jashtëzakonisht cilësore me oferta të pasura gastronomike, dhe më e rëndësishmja të thënë se Shqipëria është një nga tregjet kryesore emetuese për Kolashinin gjatë sezonit dimërore, dhe për atë jemi sot këtu, si  të them t’ju paraqesim te gjithë te interesuarve dhe shikuesve tuaj, ne mënyrën me te mire te mundshme ofertën tonë”, shprehet ai.

Vizitorët nga Kosova nga Shqipëria, mbeten me rëndësi të madhe për bizneset në Mal të Zi.

“Tregu i Shqipërisë dhe Kosovës janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetin tonë gjatë sezonit turistik dimëror, ndaj po bëjmë përpjekje maksimale në drejtim të bashkëpunimit dhe prezantimit të ofertës turistike”, thekson ai.

Panairi Ndërkombëtar i Biznesit organizohet për të 27-tën herë në Tiranë. Që nga e mërkura, në Pallatin e Kongreseve, mbi 200 biznese të ndryshme po prezantojnë kompanitë e tyre. Panairi me sloganin “Një ballkan i vetëm, ballkan më i fortë”, do të mbyllet sonte.

Agjencia e Lajmeve-KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare janë sponsor medial i këtij panairi. Të dy këto me stendat e tyre janë pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit.

Lexo edhe

Video