Made in Corona!

Made in Corona!

Solidariteti nuk duhet të monopolizohet, ai është një veprim vullnetar. Kriza e COVID-19 tregoi se solidariteti “më i ngushtë” dhe më i thellë është jetik e tepër i  nevojshëm. Lufta politike e ideologjike nuk ka vend në këtë solidaritet por qëndrimi bashkë është detyrim, ky virus na tregoi se bota në të vërtetë është shumë e brishtë dhe e  vogël.

Të çuditur pamë në këtë kohë pandemie se dy mjekë të cilët folën  drejtpërdrejtë në një kanal televiziv francez thanë se nëse gjendet një vaksinë e mundshme e cila të imunizon ndaj Covid-19, eksperimentet e para njerëzore duhet të bëhen në Afrikë, duke përçmuar banalisht jetët e njerzve të cilët jetojnë atje. Turp, duket sikur frymës neo-koloniale nuk i  është dhënë ende fund. Për më tepër ata që e deklaruan  ishin dy mjekë të cilët kanë bërë betimin e Hippokratit, një betim i besnikërisë për të marrë përgjegjësinë për ti shërbyer  humanitetit pa asnjë kusht.

Por edhe e shenjta “Maska Mbrojtëse” në këtë situatë epidemie na tregoi se ai të cilin ne e quajmë “Civilizim” nuk është është as më shumë e as më pak por një “përbindësh pa maskë”.

Këto ditë Franca ndaloi 6 milion maska të cilat do të shkonin në vende si Italia, Spanja dhe Belgjika të ashtuquajturat partnerë të këtij vendi në Bashkimin Evropian.

Italia ndalon 2000 aparate frymëmarrjeje të cilat do të shkonin në Greqi.

Çekia  bllokon  maskat mbrojtëse të destinuara për në Itali.

Në shtetet e Amerikës prodhuesit e respiratorëve dhe maskave mbrojtëse po vrapojnë  ndërmjet tyre në  garën  për rritjen e çmimeve si në ndonjë ankand.

Shtetet e Bashkuara ofrojnë dyfishin e çmimit të maskës së porositur nga Gjermania, ndërsa avioni ishte në ajër, dhe bëjnë që avioni të ulet në vendin e tyre.

Politikanët gjermanë etiketojnë se Amerika është një “pirat i kohërave moderne”, dhe kjo është një metodë e perëndimit të egër.

Më trishtojnë faktet e mësipërme por veçanërishtë në këto ditë po aq sa në çdo ditë tjetër të jetës sime jam krenar që jam shqiptar.

Shqipëria jonë dërgoi 30 mjekë në Itali për të ndihmuar shtetin fqinj në luftën ndaj Covid-19.

Megjithse lidhur me këtë veprim pati diskutime tejet të panevojshme dhe aspak produktive lidhur me situatën që po kalojmë dërgimi i mjekëve dhe infermierve shqiptar në Itali  do të jetë gjithmonë një simbol i asaj se shqiptarët nuk e harrojnë kurrë të mirën që u bëhet e ta kthejnë me të mirë pikërishtë atëherë kur ke nevojë. Shqiptari kurrë nuk heziton të bëjë mirë sepse ka lindur fisnik, ka nder, ka besë, ka fe, ka komb të cilin e admiron kudo që të jetë nga çdo cep i botës ku mund të ndodhet.

Do donim të bënim më shumë por kaq janë kapacitet e vendit tonë, nuk jemi vendi në të cilin gomarit me katër këmbë i japin shampanjë të cilësisë së parë për të pirë, këtu ajo është privilegj vetëm i gomarit me dy këmbë, i atij që ka pasuri pafund e prej zemrës nuk i vjen të bëjë një shportë me ushqime e ndoshta edhe me ilaçe e të ndihmojë ata që kanë nevojë, madje as një fjalë të mirë nuk dëgjon prej tij megjithse kjo nuk ka kosto ekonomike por është falas.

Të gjithë mezi po presin ti rikthehemi jetës sonë normale, asaj jete e cila ndaloi pikërishtë kur filloi karantina…

Por sot nën pushtimin e Coronës, ka shumë njerëz që pyesin se “çfarë ishte normale” në atë jetë?.

-A ishte normal sistemi  të cilin kishim ndërtuar për vite me radhë?

-A ishte normale hendeku i madh midis të pasurve dhe të varfërve?

-A ishte normale mungesa e drejtësisë, e të qënurit spektator i paligjshmërisë të bërë karshi nesh?

-A ishte normale masakra e pamëshirshme që njeriu me sharrë e sopatë në dorë bënte ndaj  natyrës?

-A ishte normale se nga njëra anë  teknologjitë e reja përparuan me ritme tejet të shpejta e nga ana tjetër rritja e injorancës ishte si në një errësirë mesjetare?

– A ishte normale që prodhimet tona bujqësore vendase të kalben e të hidhen nga fermerët në rrugë dhe ne duhet të importojmë nga jashtë?


– A ishte normale që vetëm sepse thanë apo shkruanin mendimet e tyre shumë njerëz me kontribute u vunë përpara “pushkatimit” për tu zvendësuar me manikinë?

– A ishte normale se çdo ditë një grua vritej nga burri, ish-burri,kunati, i dashuri?

– A ishte normale se çdo ditë vdisnin njerëz në aksidente rrugore?

– A ishte normale se i aksidentuari i cili ecte me shpejtësi mbi 220 km në orë thoshte se e ka fajin shteti?

– A ishte normale boshatisja shkretuese e fshatrave dhe qyteteve të vogla?

– A ishte normale se  toka që duhej mbjellë e gjelbëruar  u betonizua?

– A ishte normale pamja e fëmijës i cili megjithse minor e duhet të shkonte në shkollë ngarkonte krom në minierën e Bulqizës ?

– A ishte normale pamja e fëmijës së mbytur në breg të detit tek përpiqej me familjen e tij ti shpëtonte luftës?

– A ishte normale pamja e fëmijëve sirian të cilët duke u ngashëryer në lot i luteshin botës të ndihmonte e shpëtonte ata nga lufta?

– A ishte normale se shumica e puntorëve ishin të pasiguruar, e pa asnjë siguri për të ardhmen e tyre?

– A ishte normale se ishim të pavetëdijshëm ose të kujdesur për çdo produkt që blinim dhe konsumonim?

– A ishte normale se kuptimi i vërtetë i jetës për shumë të rinjë ishte trefletëshi?

– A ishte normale se pjata më e shijshme ishte ajo e djegur nga poshtë?

-A ishte normale se për disa  foto të cilat merrnin vëmendje në instgram njeriu digjte gjithë pasurinë e tij?

– A ishte normale se me qëllim për tu argëtuar qeset e plehrave duhet të hidheshin nga ballkonet e dritaret?

– A ishte normale se edhe për një vendim-marrje rutinë do ti thoshim vetes për burokratin e radhës se: A do ta hedhë vallë Llanua këtë lum?

Duket sikur “Kometa”  më në fund goditi planetin dhe gjithçka ndryshoi në një çast. Kriza globale e shëndetit që filloi me COVID-19 përmbysi ekonomitë, shoqërinë civile dhe jetën tonë të  përditshme. Dhe asgjë nuk do të jetë njësoj si më parë. Të paktën për një kohë të gjatë … Luftërat e mëdha si kjo ndaj CoronaVirusit, ulin besimin e njerëzve në kuptimin e qëndrueshmërisë së botës në të cilën jetojmë.

Të gjitha vendet e botës tashmë janë të përqëndruara në hallet tyre; me sistemet e tyre shëndetësore në kolaps, me papunësinë dhe ekonomitë e tyre që po vuajnë shumë prej CoronaVirusit.

Për të parandaluar këtë kolaps total, siç bënim në vegjëli duhet të fusim duart në pjesën e poshtme të gjoksit të gjyshes e cila atë e kish kthyer në një arkë kursimi. Tani e dimë se nëse do të mendojmë se këtë krizë do ta kalojmë pa u angazhuar me shpenzime ajo do të kthehet te të gjithë ne si një bumerang,.

Ndërtimi i një ekonomie me një themel më gjithëpërfshirës, më të qëndrueshëm tani është thelbësor. Për këtë, hapi më i rëndësishëm ekonomik që ende duhet ta bëjmë gjatë ditëve të koronavirusit, kur fatura do të bëhet më e rëndë, është se “Askush nuk do të pushohet nga puna”. Qeveritë lokale si dhe qeveria qendrore kanë një rol të madh në luftën kundër koronës në të gjithë botën. Pandemia e COVID-19 është kriza e parë e shekullit të 21 që prek vërtet njerëzimin. Dhe për fat të keq nuk do të jetë e fundit. Do të pasojnë më shumë kriza, dhe jo të gjitha do të vijnë në formën e një virusi. Mënyra për tu përgatitur për të parandaluar dhe madje ulur krizën, është që të gjithë ne të fillojmë mendojmë. Njerëzit nuk duhet të detyrohen të zgjedhin midis virusit, urisë ose opsionin e papunësisë.

Këto janë mendime që vijnë nga eksperienca që po krijojmë në këtë kohë në të cilën përveçse po themi “faleminderit Zot se telenovelat Turke po na mbajnë mendjen” themi edhe me zërin plot se edhe këndvështrimi ynë aktual është  “Made in Corona”.

Lexo edhe

error: