Macron i kërkoi Mbappes ta refuzonte Real Madridin

Macron i kërkoi Mbappes ta refuzonte Real Madridin

Kylian Mbappe ka thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron i kërkoi atij të qëndronte në Paris Saint-Germain në vend që të transferohej te Real Madridi këtë verë.

Mbappe, 23 vjeç, ishte në prag të transferimit te Reali në formën e lojtarit të lirë përpara se një ndryshim në minutën e fundit e pa atë të nënshkruajë një marrëveshje të re trevjeçare me PSG-në.

Ky vendim i dha fund njërës prej sagave më të gjata të transferimeve gjatë viteve të fundit, me Mbappe që ka qenë objektivi kryesor afatgjatë i Realit, përcjell KosovaPress.

“Nuk e kam imagjinuar kurrë se do të flas me presidentin Macron për të ardhmen time. Është diçka e çmendur, vërtet diçka e çmendur”, tha Mbappe për “New York Times”.


“Ai më tha ‘Dua që të qëndroni. Unë nuk dua që ju të largoheni tani. Ju jeni kaq i rëndësishëm për vendin…’. Sigurisht kur presidenti ju thotë këtë, kjo ka rëndësi”, shtoi më tej ylli francez.

Mbappe ka thënë më parë se ishte projekti sportiv i PSG-së, dhe jo aspekti financiar, faktori që ndikoi në vendimin e tij.

“Kudo që shkoj do të marr para. Unë jam ky lloj lojtari kudo që shkoj”, tha Mbappe.

Mbappe ka shënuar tashmë shtatë gola në pesë ndeshje në Ligue 1 këtë sezon.

Lexo edhe

Video