LVV s’ka marrëveshje për ndarje të ministrive me Osmanin, të shqetësuar edhe për votat e komuniteteve

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një marrëveshje me Listën e Vjosa osmanit për ndarje të posteve ministrore. Zëdhënësi i këtij subjekti, Përparim Kryeziu, është shprehur i bindur se me t’u certifikuar rezultatet do të formohen menjëherë institucionet e reja të vendit. Lëvizja Vetëvendosje po i konsideron shqetësuese edhe pretendimet se Lista Serbe ka deleguar vota për subjektet politike të minoriteteve jo serbe.

Në një intervistë për KosovaPress, Kryeziu, deklaroi se nuk ka një marrëveshje sa i përket ndarjes së posteve ministrore me Listën e Vjosa Osmanit dhe e vetmja marrëveshje mes kësaj liste dhe LVV-së është ajo e parimeve.

Ai thotë se bashkëpunimi mes tyre nuk është i kufizuar në logjikën e ndarjes së posteve e pozitave, por në logjikën e bashkëqeverisjes. Postet, sipas tij, nuk do të bëjnë asnjë problem në bashkëpunimin mes tyre.

“Edhe bashkëpunimi me znj.Osmani do të jetë jo i kufizuar në logjikën e ndarjes së posteve e pozitave, po në logjikën e bashkëqeverisjes ashtu që të dy palët të ofrojnë personat më të mirë në fushat e caktuara. Kur të vjen koha që këto diskutime të ndodhin ato besoj që në momentin e parë do të bëhen edhe publike cilado qoftë vendimmarrja. Po edhe një herë po them që lajmi i mirë në mesin e shumë lajmeve të mira nga bashkëpunimi me znj.Osmanin është që bashkë me emancipimin qytetar po ashtu po ndodh edhe një emancipim politik brenda aktorëve politik që po e kuptojnë që tash e tutje bashkëpunimi duhet të jetë gjithmonë me synim të bashkëqeverisjes e jo me synim të ndarjes së posteve, pozitave për përfitime partiake e personale”, vijoi Kryeziu.

Megjithatë, ai thotë se për numrin e posteve ministrore që do të ketë Lista e Vjosa Osmanit mund të diskutohet vetëm në organet e partisë dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Këtë nuk mund ta them tani (sa ministra mund t’i takojnë Osmanit) për shkak se për këtë duhet të diskutohet brenda organeve të Lëvizjes Vetëvendosje, e ai diskutim ndodh pas certifikimit të rezultateve dhe pasi që të ketë secili një pasqyrë të saktë të numrit të deputetëve brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vetëm atëherë pasi që të ndodh ky proces, pasi që të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve do të ketë takime brenda organeve të brendshme sikurse do të ketë edhe takime dypalëshe mes përfaqësuesve të LVV-së dhe znj.Osmani. Por, që unë konsideroj nuk do të përbëjnë asnjë pengesë për kulmimin e bashkëpunimit të deri më tanishëm në bashkëqeverisje, për shkak që edhe një herë bashkëpunimi më të vërtetë ka qenë i sinqertë, ka qenë i dyanshëm dhe më qëllime të përbashkëta”, thotë ai.

Lëvizja Vetëvendosje po i konsideron shqetësuese edhe pretendimet se Lista Serbe ka deleguar vota për subjektet politike të minoriteteve jo serbe me qëllim që t’i kontrollojë ato në Kuvend e rrjedhimisht te ketë shumicën e votave të pakicës në Parlament. Sipas partisë fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit, kjo çështje duhet të merret seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe nga institucionet ndërkombëtare.

Kryeziu thotë se Lista Serbe pasi që ka mbytur demokracinë brenda komunitetit serb synon ta bëjë të njëjtën gjë edhe tek komunitetet tjera. Ai shprehet se janë duke e përcjell të gjithë situatën dhe do të veprojnë në bazë të një studimi, derisa thekson se do të jenë në mbështetje të komuniteteve jo serbe.


“Ajo çka po ndodh tash është më të vërtetë shumë shqetësuese dhe në qoftë se arrihet të dëshmohet përfundimisht që pretendimet se ka një organizim në prapaskenë që Lista Serbe të ndikojë drejtpërdrejtë në përfaqësimin e komuniteteve jo serbe në Kosovë duhet të merret seriozisht nga secili institucion i Republikës së Kosovës. Po jo vetëm nga institucionet shtetërore, besoj që duhet të ketë një reagim edhe të institucioneve ndërkombëtare dhe të përfaqësuesve ndërkombëtar sikurse edhe nga vet organizatat qofshi ato ndërkombëtare, qofshin vendore jo qeveritare brenda Republikës së Kosovës. Vërehet qartë se ka një përpjekje që të shthuret edhe fryma e Kushtetutës e cila garanton një përfaqësim të garantuar të të gjitha komuniteteve brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thotë ai.

I pyetur se a do t’i adresohen institucioneve të drejtësisë lidhur me këto pretendime, Kryeziu thotë se janë duke e përcjell të gjithë situatën dhe në momentin e caktuar do të veprojnë në bazë të një studimi dhe analize më të gjerë.

“Lëvizja Vetëvendosje është duke e përcjell këtë situatë dhe besoj që në momentin e caktuar do të veprojë në bazë të një studimi, analize më të gjerë mbi atë se çfarë ka ndodhur, cilat janë pretendimet dhe cila është vërtetësia e këtyre pretendimeve. Mirëpo, çka unë mund të them tani është që vërehet qartë që ka një përpjekje të organizuar, pra një inxhiniering të organizuar nga Lista Serbe, ashtu që ajo si instrument e dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë të shtrijë edhe më tutje fuqinë e saj politike duke e mbytur demokracinë pasi e ka mbytur atë në komunitetin serbë edhe në komunitetet tjera jo serbe”, thotë Kryeziu.

Kryeziu deklaroi se si Lëvizje Vetëvendosje kanë pasur edhe në të kaluarën një bashkëpunim të mirë me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe, për çka thotë se LVV do ta luajë rolin e saj në cilëndo sfidë që e kanë këto komunitete.

“Ky bashkëpunim që atëherë është më të vërtetë është ndërtuar në një frymë qëllim mirë në parime dhe me qëllim që me gjithë mend të ketë përmirësim të situatës së gjithmbarshme brenda Republikës së Kosovës. Besoj që çdo bashkëpunim tash e tutje do të jetë në kuadër të asaj fryme dhe besoj që LVV do të luaj rolin e saj në cilëndo sfidë të këtyre komuniteteve duke i vlerësuar si pjesë integrale të padiskutueshme të Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Dy subjekte që dolën në skenën politike kosovare pas shpalljes së zgjedhjeve, ajo e Adriana Hoxhiqit në veri dhe e Gazmend Salijeviqit në Graçanicë, morën vota të konsiderueshme dhe partitë e tjera të komuniteteve jo serbe thonë se për këtë i ndihmoi Lista Serbe.

Duke i zgjedhur të preferuarit e saj, Lista Serbe do të ketë nën kontroll së paku 14 vota në Kuvendin e Kosovës, që i bie shumicën prej 20 vendeve të garantuara për komunitetet në Parlament duke rritur ndikimin e saj.

Lexo edhe

Video