LVV: Kemi miratuar ligje që synojnë reformën në drejtësi dhe ekonomi

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e konsideroi efikase punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror, përkundër siç thanë ata, përpjekjeve të opozitës për ta penguar punën e legjislativit.

Deputetë të mazhorancës, në konferencë për media, thanë se Kuvendi gjatë këtij gjysmë viti ka miratuar 44 ligje, ndërsa janë në procedurë të shqyrtimit edhe 47 projektligje të tjera.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se projektligjet e miratuara synojnë reformën në drejtësi dhe ekonomi.

“Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore ka miratuar 44 ligje, nga të cilat 33 janë projektligje të shqyrtuar në dy leximet, ndërsa 11 janë marrëveshje ndërkombëtare. Gjithashtu ka edhe projektligje që janë në procedurë në shqyrtim apo janë miratuar në lexim të parë. Në total numri i tyre është 47 nga të cilat 21 janë shqyrtuar dhe miratuar në lexim të parë, ndërsa 26 prej tyre iu janë shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.


Lidhur me mungesën e vazhdueshme të kuorumit në Kuvend, ajo ia adresoi një pjesë të përgjegjësisë edhe opozitës.

Kusari-Lila tha se opozita përkundër që është në sallë nuk merr pjesë në votim, sipas saj, duke treguar papërgjegjësinë e tyre.

Ajo përmendi edhe dërgimin e shumë ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, ku tha se opozita këtë institucion po e përdorë si mekanizëm të saj.

Krahas kësaj, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se për miratimin e Kodit Civil duhet angazhim pozitë-opozitë, pasi siç tha ai është një dokument që është punuar që gjashtë vjet.

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar sesionin pranveror më 28 korrik, ndërsa pritet të nis punën në javën e dytë të muajit shtator./KosovaPress/

Lexo edhe

Video