Lëvizja Vetëvendosje insiston në miratimin e Projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, pa përfshirjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në partinë në pushtet zotohen se pensionet për veteranët do të jenë të dinjitetshme, pasi të bëhet kategorizimi i tyre dhe të ketë një trajtim përmbajtjesor të reformave pensionale.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë për KosovaPress se protesta e veteranëve të UÇK-së ishte formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë, mirëpo në vitin 2016 është bërë shkëputja e rritjes së pagës minimale me pensionin e veteranëve.
Pavarësisht kësaj, ajo thotë se pensioni prej 170 eurove për veteranët nuk është i dinjitetshëm, por shton se Projektligji për pagën minimale po keqinterpretohet qëllimshëm nga opozita.
“Pagesa prej 170 eurosh nuk është e dinjitetshme për veteranin, apo këdo në Kosovë. Kjo është arsyeja që të ketë një trajtim përmbajtjesor, të përgjithshëm dhe natyrisht duke përfshirë edhe kategorizimet e mirëfillta, në mënyrë që t’i kthehet dinjiteti (veteranëve). Por në formën dhe mënyrën si u prezantua në opinionin publik, në veçanti nga përfaqësuesit e partive opozitare, është tërësisht një keqinterpretim mbi atë çka u synua të votohet”, thotë Kusari-Lila për KosovaPress.
“Kemi pasur projektin e Bankës Botërore për reformën e skemës pensionale që nuk është mbështetur nga opozita. Në fakt, dy herë, si asnjëherë më parë, është rrëzuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk e tregon konsistencën e opozitës, por tregon se në këto kërkesa përveç zhurmës nuk e kanë një qëllim i cili synon suksesin. Duhet të jemi të përqendruar në hapat që po synojmë t’i arrijmë bashkërisht për të përmirësuar jetën e të tjerëve. Votimi i kredisë së butë, projektit nga Banka Botërore për reformën e skemës pensionale është hapi për t’i trajtuar këto probleme”, thotë ajo.
Ndërkohë, thekson se projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale midis dy leximeve ka mundësi trajtohet.
Projektligji për pagën minimale dështoi të miratohet të hënën në Kuvend, për shkak të mungesës së kuorumit. Gjatë seancës plenare, veteranët e luftës protestuan para objektit të legjislativit për të kundërshtuar largimin e tyre nga rritja e pagës minimale./E.Zeqiri/