LVV e bindur për fitoren në Prishtinë, Vitia: Jemi përpara por t’i presim numërimin e të gjitha votave

Lëvizja Vetëvendosje po beson se ka fituar komunën e Prishtinës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Megjithatë kandidati i LVV-së për të parin e kryeqytetit, Arben Vitia tha se duhet të pritet deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave për të ditur rezultatin përfundimtar.

Vitia në një konferencë për media procesin e sotëm zgjedhor e vlerësoi me pikët më të larta, duke thënë se ishin zgjedhje të jashtëzakonshme, ku tash e sa vite Kosova po e jep provimin në këtë drejtim.


Kandidati i LVV-së për të parin e Prishtinës bëri të ditur se presin që sikurse exit-polli, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i nxjerrë të parët në këtë raund të dytë për zgjedhjet lokale.

“Ne këtu jemi sonte, pavarësisht asaj që kemi marrë rezultatet nga exit-polli nga kompanitë më kredibile që ne jemi më përpara se kundërkandidati nga LDK-ja. Ne jemi duke pritur rezultatin dhe posa të marrim rezultatet përfundimtare edhe nga komisionerët tonë, por edhe rezultatet e KQZ-së do të dalim dhe t’iu njoftojmë me rezultatet përfundimtare… Rreth dy pikë jemi përpara sipas këtyre sondazheve. Njësoj na qesin edhe sondazhet tjera dhe tani janë duke u numëruar votat nga komisionerët tonë të cilët po vazhdojnë me syçelësi të numërojnë çdo votë dhe të mos ketë asnjë mundësi që asnjë votë të shkojë dëm për asnjërin kandidat”, tha Vitia.

Sipas rezultatit të 17 tetorit, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shkoi në balotazh ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së dhe Përparim Ramës së LDK-së.

Lexo edhe

Video

error: