LVV akuzon NPB-në për tjetërsim prone në Prishtinë

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka akuzuar Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), se po tenton të tjetërsojë një pronë të rëndësishme komunale, me procedura të jashtëligjshme. Këshilltari komunal në Kuvendin e Prishtinës, Egzon Azemi, në një konferencë për media, akuzoi NPB-në se po mundohet që ta japë parcelën komunale për ndërtuesit e komplekseve banesore.

Sipas tij nga gjithë ajo pronë komunës do t’i mbetet vetëm 30 për qind.

“Ndërmarrja publike banesore kohë më parë ka publikuar në faqen e saj zyrtare në NPB banesore.com, duke i ftuar kështu operatorët ekonomikë për regjistrimin e procedurës për përzgjedhjen e bashkë investimit për ndërtim. Kjo ndërmarrje përmes krye bordit për ndërtim dhe kryeshefit ekzekutiv me vendim të aksionarëve po tenton që ta japë parcelën komunale për ndërtuesit e komplekseve banesore dhe nga ajo pronë komunës do ti mbetet vetëm 30%.

Tutje Azemi tha se tre persona po mundohen që ta tjetërsojnë pronën e përbashkët pa asnjë vendim të komunës dhe pa asnjë vendim publik.


“Vetëm 3 persona po mundohen ta tjetërsojnë pronën e përbashkët qytetarë pa asnjë vendim të komunës pa asnjë vendim paraprak pa asnjë vendim publik. Kjo thirrje për operatorët e ekonomik vlente vetëm për dy ditë nga data 10-12 mars 2021, ndërsa afati për pajisjen në dosjen e tenderit ka qenë vetëm  një ditë më konkretisht me 17 mars 2021, gjë që dëshmohet se operatori ekonomik ka qenë i përzgjedhur para se të bëhet thirrja.

LVV thotë se kjo nuk është hera e parë që pushteti komunal tenton të tjetërsojë pronën e qytetarëve, pasi vite më parë kishte bërë përpjekje të rrënojë edhe një shkollë

“Ky nuk është rasti i parë që ky pushtet komunal po përpiqet ta tjetërsojë pronën e qytetarëve. Kjo ndërmarrje dy vite më parë u përpoq ta rrënojë kompleksin e ish-shkollës teknike me proteksion që kjo shkollë nuk i ka kushtet për mësim. Pas protestave të nxënësve e profesorëve që iu bashkuam edhe ne u kërkua të bëhet një ri analizë e këtij kompleksi. Ku pas analizës profesionale nga një kompani e zgjedhur nga vet komuna doli se ky objekt i plotëson të gjitha kriteret dhe nuk ka nevojë për rrënim, edhe atëherë qëllimi ishte tjetërsimi dhe përfitimi nga këto prona komunale.

Azemi u ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Hetuesisë që të nisin hetimet mbi këtë ndërmarrje për të evidentuar shkeljet.

“Ne ju bëjmë thirrje prokurorisë dhe hetuesisë që sa më parë të nisin hetimet mbi Ndërmarrjen Publike Banesore sepse të gjitha këto afera të gjitha këto dyshimet që ata të fillojnë hetimet. Kemi kërkuar të flasim me aksionarët e PSD por nuk janë përgjigjur, gjithashtu edh kryetari i Komunës nuk ka dhëne asnjë përgjigje. Kemi bërë kërkesë zyrtare edhe për qasjen në dokumente zyrtare mirëpo deri tash nuk kemi marrë përgjigje. Prandaj prokuroria dhe policia e krimeve ekonomike që ky rast të marrë fund sa më shpejtë”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.