Luzha: Bashkëpunimi rajonal mund të ndodhë edhe përmes medias

Besa Luzha nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Kosovë ka thënë se bashkëpunimi rajonal duhet të ndodh edhe në mes të medias dhe jo të kufizohet në bashkëpunim formal në mes të politikave. Shembull për këtë ajo ka theksuar Agjencinë e Lajmeve KosovaPress e cila, si anëtare me të drejta të plotë në Asamblenë e Përgjithshme të Aleancës së Agjencisë të Lajmeve ë Ballkanit (ABNA-SE), ka mbledhur në Prishtinë përfaqësues të agjencive të lajmeve nga 12 shtete të rajonit.

Në kuadër të këtij organizimi është diskutuar për ndikimin që ka pandemia në punë ne medias dhe për mundësitë e bashkëpunimit në mes të mediave dhe institucioneve publike në fushën e turizmit.

FES Kosova ka qenë përkrahës në këtë organizim dhe Besa Luzha thotë se këtë e kanë bërë me qëllim të forcimit ë bashkëpunimit rajonal.

“Forcimin e bashkëpunimit rajonal ne e shohim edhe në mes të segmenteve të ndryshëm të shoqërisë, jo vetëm atë të bashkëpunimit formal në mes të politikanëve, deputetëve ose institucioneve por edhe nëpër segmente të tjera të shoqërisë e posaçërisht mediat për ne janë një segment tepër i rëndësishëm, andaj vet fakti që ishin agjencitë e lajmeve të të gjitha vendeve të Ballkanit, siç e thash këto vende shpesh kanë konflikte, kanë pasur armiqësi në të kaluarën por këto media kanë gjetur mundësinë dhe dëshirën dhe kapacitetin për të bashkëpunuar, për ne ishte me rendësi. Po ashtu tema e konferencës, sfidat e shpërndarjes së lajmit në kohën kur kemi kaq shumë edhe ‘fake neës’, për shumë gjëra por edhe për COVID-in, për kohën në të cilën gjendemi, është për ne shumë-shumë me rëndësi që ta mbështesim këtë ngjarje të cilën e konsiderojmë me të vërtetë të rëndësishme”, ka thënë ajo.

Por, sipas saj, institucionet në Kosovë do të duhej të shfrytëzonin këtë organizim për të përcjellë mesazhin e Kosovës për rolin e saj në rajonal.


“Kisha paramenduar që vet institucionet të kishin shfrytëzuar më shumë këtë mundësi, ne patëm një përfaqësim shumë të mirë në panelin që e bëmë për ndërlidhjen mes të mediave e turizmit, kulturës, ministren Rozeta Hajdari e patëm këtu, por disi kam prit që edhe më tepër institucionet do të shohin rëndësinë e këtij takimi në mënyrë që të vinë dhe me prezencën e tyre të përçojnë edhe mesazhe të rëndësishme për rolin që Kosova do dhe duhet ta ketë edhe në bashkëpunimin rajonal por edhe promovimin e mundësisë për bashkëpunim”, ka shtuar ajo.

“Media dhe Agjencitë e Lajmeve në epokën e PostCovid” është tema që shënon kuvendin e sivjetmë që ABA e që shënohet në Kosovë nën organizmin e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress.

Agjencitë e 12 shteteve të Ballkanit po qëndrojnë në Kosovë ku do të diskutojnë rreth pandemisë dhe ndikimit që ka pasur në punën e medias.

Pritja e tyre është bërë dje në një organizim në Muzeun e Kosovës ku të pranishmit janë njoftuar prej afër me historinë e vendit.

KosovaPress është pjesë e ABNA nga viti 2017 ndërsa synim mbete anëtarësimi në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve EANA.

Kuvendi dhe konferenca e 29-të e përgjithshme e ABNA-së mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Swiss Agency for Development and Cooperation SDC.

Lexo edhe

Video