Lushtaku: I kemi thyer bastionet e Vetëvendosjes edhe në diasporë
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 5 min.
Mergim Lushtaku foto
3 orë më parë
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës pret të arrijë së paku mbi 30 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit. Kështu thotë kandidati për deputet nga ky subjekt, Mergim Lushtaku. Sipas tij “janë thyer bastionet e Lëvizjes Vetëvendosje në diasporë”.

Lushtaku zotohet se mbështetja e të rinjve për të hapur biznese, implementimi i sigurimeve shëndetësore dhe heqja e kufizimit për importimin e veturave, do të jenë ndër prioritetet e tij në mandatin e ardhshëm.

"Ne Parti Demokratike e Kosovës në bazë të angazhimeve, takimeve, presim së paku 31 apo 32 për qind me qenë. Në bazë të takimeve, në bazë të angazhimeve, kontakteve, takimeve që i kemi pasur në diasporë. I kemi thyer bastionet e Vetëvendosjes edhe në diasporë që është një gjë e mirë", thotë Lushtaku.

Ai synon që ta largojë tërësisht kufizimin e viteve për importimin e veturave. Lidhur me këtë thotë se partia në pushtet më parë e quante të “pa mençur” propozimin e tij, ndërsa tani, sipas tij, kjo është bërë një prej premtimeve të tyre.

"Një prioritet timin që e kam pasur gjatë gjithë kohës që vazhdimisht e përmendi, tash e kemi parë që është keqpërdorur nga partia në pushtet, deri dje e kanë kundërshtuar, e kanë thënë edhe të pa mençur këtë propozim, ndërsa po e propozojnë në fushatat e tyre elektorale, që është më të vërtetë e turpshme. Sepse qytetarët kanë pasur nevojë gjatë kësaj legjislature t'i përmbyllin largimin një ndalese që ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet. E kam marrë një premtim nga Bedri Hamza si kryeministër që do të largojmë dhe lehtësojmë këtë pjesë. Do ta zvogëlojmë nga 10 vjet  së paku 15 vjet qysh kemi pasur pajtueshmëri. Por, synimi im është të largohet fare pjesa e viteve...Personalisht i kam ofruar kësaj legjislature që nëse është pengesë Mergim Lushtaku dhe PDK-ja pse është propozuese, jemi të gatshëm të tërhiqemi vetëm propozojeni, ne e votojmë", thotë Lushtaku.

Lushtaku, që për herë të dytë po garon për një mandat deputeti, thekson se mbështetja e të rinjve në hapjen e bizneseve dhe ofrimi i bursave për studentë do të jenë faktorë të rëndësishëm në uljen e migrimit.

"Është çështja e gjeneratës së re që unë mendoj se duhet dhënë më shumë mundësi rinisë për t'i parë pjesë të vendimmarrjes në shoqëri dhe për të ngritur jetën dhe cilësinë e jetës në përgjithësi. Për ta ndalur sa më shumë emigrimin, besoj që politikat për rininë do të jenë më konkrete dhe do të kemi mbështetje më të madhe për ndërmarrësi dhe mbështetjen  e të rinjve për të hapur bizneset siç janë Start up-et e ndryshme, bursat për studentë. Është edhe pjesa e shëndetësisë, që është shumë e rëndësishme, sepse ne e dimë shumë mirë se mesatarja e popullsisë është duke shkuar duke u plakur dhe sigurisht rritet edhe pjesa e kujdesit shëndetësor, nevoja për një shëndetësi më cilësore, më efektive. Ku bëhet pjesë edhe prioriteti jonë i sigurimeve shëndetësore", potencon Lushtaku.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së Mergim Lushtaku me numër 100, thotë se familjet e dëshmorëve, veteranët e invalidët e luftës ndihen të fyer dhe të poshtëruar sipas tij me qasjen e qeverisë ndaj tyre.

Përveç kësaj, ai thotë se edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë nuk kanë marrë mbështetjen e duhur nga shteti.

"Vlerat e luftës në këtë mandat sa e kemi parë nuk janë përfaqësuar nga qeveria. Paramendojeni i duhet me ardhë rend, përveç Shqipërisë, Kroacisë dhe Turqisë për të pasur një garancion për lirim me kusht ndaj çlirimtarëve tonë. E për shtetin që kanë luftuar bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Fehmi Lladrovcit e Agim Ramadanit e shumë dëshmorëve të tjerë, e invalidë të luftës e veteranë të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk e kanë  marrë mbështetjen dhe garancionin që ish dashur t'ia jepte shteti për të cilin kanë luftuar, nën udhëheqjen e këtij të fundit. Prandaj, është e turpshme edhe të mendohet se ka një përfaqësim dhe mbrojtje të vlerave të luftës...Veteranët  e luftës, sa kam pasur rastin t'i takoj me shumicën e tyre, invalidë të luftës e familjeve të dëshmorëve janë ndier të fyer dhe të poshtëruar me qasjen e qeverisë ndaj tyre", shprehet Lushtaku. 

Ndër të tjera, Lushtaku derisa flet për kandidatin për kryeministër Bedri Hamza, thotë se vendimi i tij për këtë pozitë ka rrjedhur nga nevoja e qytetarëve për një jetë më mirë. Sipas tij, Hamza ka dëshmuar që ka përvojë, guxim dhe u ofron hapësirë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025