Lushaku-Sadriu: Marrëveshja e Ohrit, kompromisi më i rëndë për Kosovën
Intervista
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu deklaron se marrëveshja në Ohër është kompromisi më i thellë që ka bërë Kosova. Ajo e quan tragjike interpretimin e këtij teksti nga kryeministri Albin Kurti, derisa shton se njohja nga Serbia nuk përmendet fare dhe se ka të bëjë me asociacionin që dikur e kishte kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

Në intervistën për KosovaPress, Lushaku-Sadriu komenton deklaratat e Kurtit në lidhje me këtë marrëveshje, me ç’rast, thotë se humb e drejta për të kërkuar njohje.

“Është shumë më shumë se asociacioni, për të cilën qeveria kur ka qenë në opozitë e ka kundërshtuar shumë ashpër. Kjo mendojmë që është humbje për Kosovën. Janë bërë kompromise të tjera, të cilat po ashtu janë bërë në kurriz të Kosovës. Për shembull statusi i veçantë për kishën serbe, e cila nuk është paraparë me marrëveshjet e kaluara dhe kërkon një rinegociim dhe e sjell edhe kishën në negociata. Dykuptimësia mbetet problem tjetër dhe në përgjithësi kjo marrëveshje humb të drejtën tonë për të kërkuar njohje”, shprehet ajo.

Ajo, po ashtu komenton edhe deklaratën se do të ketë njohje nga Serbia, për çka thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Anëtarja e kryesisë së LDK-së shprehet se nuk ka as garanca për njohje të reja.

Lushaku-Sadriu e quan tragjike interpretimin e kësaj marrëveshjeje nga vetë shefi i ekzekutivit, meqë siç thotë ajo, po krijohet huti e jashtëzakonshme.

Ajo shton se i gjithë fokusi i marrëveshjes është te komuniteti serb dhe krijimi i vetëmenaxhimit. Ndërkaq, sa i përket çështjet së të pagjeturve deklaron se aneksi është krejtësisht i paqartë.

Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu theskon se kjo marrëveshje i shmanget njohjes, derisa shton se është arritur me qëllim që të mos ketë nënshkrim final./Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024