Lulëkuqja me katër penale pritet që shumë shpejt të marrë vulën institucionale për simbol të gjenocidit në Kosovë.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti tregon se tashmë 14 komuna e kanë miratuar këtë simbol.
Në intervistën për KosovaPress, Bardhyl Mahmuti thotë gjenocidi nuk falet e as harrohet dhe se është e domosdoshme që familjarët të gëzojnë drejtësinë.
“Çështja e krimit të gjenocidit që ndodhi në Reçak më 15 janar 1999 mobilizoi diplomacinë ndërkombëtare, sidomos ato qarqe që kanë pasur peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare që çështjen e Kosovës ta vënë në rend të ditës. Të gjejnë një zgjidhje për të përfunduar politikën e gjenocidit që zbatonte Serbia ndaj shqiptarëve. Një rol jashtëzakonisht të madh në ndërkombëtarizimin mediatik të gjenocidit në Reçak ka pasur përgjegjësi i vëzhguesve ndërkombëtarë që ishin në atë kohë, i cili ishte William Walker”, tregon ai.
“Të gjitha krimet e gjenocidit që janë bërë anekënd Kosovës, para 15 janarit dhe ato që vijojnë pas 15 janarit, janë krime që na dhembin në shpirt. Secili ka njeri ka dhimbjen e madhe për të gjitha krimet dhe nuk ka peshore, cili krim është më i madh apo më i vogël. Çështja për çfarë arsyeje Kuvendi i Kosovës vendos që 15 janari të jetë ditë e kujtimit të gjenocidit, është pikërisht roli dhe efekti i madh që ka pasur në skenën ndërkombëtare, sepse falë këtij mediatizimi ndërkombëtar kemi ndërhyrjen dhe përfundimin e politikës së gjenocidit në Kosovë. Për ne, 15 janari është pikërisht ajo ditë e dhimbjes së madhe”, shton ai për KosovaPress.
Kryetari i qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur” flet edhe për iniciativën e simbolit të gjenocidit në Kosovë, ku tregon katër format e gjenocidit të paraqitura në petalet e lulëkuqes.
Më tej, tregon se ka mbështetje të madhe nga shumë personalitete brenda dhe jashtë vendit që ky simbol të ketë vulën institucionale.
“Kemi informacione se së shpejti do të dalin edhe forca tjera politike dhe kjo çështje do të iniciohet edhe në Kuvendin e Kosovës, që të përmbyllet dhe të kemi një simbol që vërtetë do të identifikojë çështjen e gjenocidit në Kosovë... Në shumicat e komunave shqiptare në Kosovë, që kanë pasur mundësi ta vënë në rend të ditës këtë çështje, 14 komuna më të madha të Kosovës e kanë miratuar në mënyrë unanime”, përfundon Mahmuti.