“Luftimi i dezinformimit”, KosovaPress me saktësinë më të madhe

Në mesin e 28 mediave të shkruara, Agjencia e lajmeve KosovaPress prin me saktësinë më të madhe. Gjatë muajit prill dhe maj, nga qindra lajme të publikuara, nuk është shpërndarë asnjë lajm i rremë nga KosovaPress.

Kështu thuhet në raportin “Luftimi i dezinformimit” nga FactCheckerKosova, ku janë monitoruar mediat e regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Udhëheqësi i “Cybersecurity and Privacy”, Mentor Hoxhaj theksoi se në periudhën dymujore kanë listuar mediat me më së shumti gabime.

“Prin me gabime ‘Insajderi’ me 49 pikë dhe e fundit që vjen e para është ‘KosovaPress’-i që nuk ka asnjë gabim gjatë muajit prill dhe maj, ku ‘KosovaPress’ nuk ka asnjë gabim. […] Metodologjia është e thjeshtë me pesë pikë kemi poentuar lajmet e rrejshme, me katër pikë clickbait, me katër pikë gjithashtu lajmet kryesisht të pasakta, me dy pikë kryesisht të sakta dhe me gabime një pikë”, ka treguar Hoxhaj.

Kjo është hera e dytë në pesë muaj, që Agjencia e lajmeve KosovaPress del me rezultatet më të larta pas monitorimit të mekanizmave privatë, duke respektuar të gjitha parametrat për një gazetari të saktë e korrekte.


Hulumtimi përfshin edhe besueshmërinë e lexuesve në media.

“Pjesa dërrmuese e mediave, janë diku mbi 53 për qind kanë zero besim. Mbi 52 për qind të anketuarave kanë zero besim në media dhe portale. Kjo është mjaft shqetësuese në kuptimin se ne kemi monitoruar mediat të cilat janë të regjistruara në KMShK”, ka shtuar Hoxhaj.

Udhëheqësja e FactChecker Kosova, Alketa Rrahmani ka treguar se në kuadër të këtij raporti, gjatë muajit prill dhe maj janë monitoruar 28 media në më shumë se 85 mijë lajme.

Të gjitha këto media janë të regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara.

“Gjithsejtë për këta dy muaj, janë monitoruar në baza ditore 28 media, ku kanë qenë më shumë se 85 mijë lajme dhe të cilat janë verifikuar rreth 30 mijë sosh. FactCheckerKosova ka hasur gjatë këtyre dy muajve, rreth 400 gabime, ku janë identifikuar 144 prej tyre dhe janë verifikuar dhe publikuar në ueb sajtin FactCheckerKosova më shumë se 120 lajme”, ka thënë ajo.

Udhëheqësi i Cybersecurity and Privacy, Mentor Hoxhaj tha se top lajmi i rremë gjatë periudhës sa është bërë hulumtimi ka qenë për kryetarin e Kievit, Vitaly Klitschko, kur shkruhej se ka folur për shqiptarët dhe Kosovën.

Lexo edhe

Video