Luftëtarët nga Lugina: Lufta e UÇK-së e pastër, jemi të zhgënjyer me Gjykatën Speciale

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot është takuar me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, (UÇPMB). Përmes këtij takimi u ofruar mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen nga Gjykata Speciale.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se përmes këtij takimi dërgojnë mesazh se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pastër.

“Jemi mbledhur sot për ta dërguar një mesazh se thelbi i UÇPMB-së është lufta e UÇK-së dhe për këtë shkak jemi mbledhur këtu për të treguar se ne besojmë në drejtësi dhe besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe gjithë ata luftëtar të UÇK-së që ballafaqohen me drejtësinë nuk janë vetëm për shkak se e kanë edhe UÇPMB-në, prapa në mbrojtjen e pastërtisë dhe vlerave dhe UÇK-së dhe në besimin në drejtësi”, tha Selimi.


Në emër të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Shaqir Shaqiri tha se si luftëtarë të lirisë janë të zhgënjyer me krijimin e kësaj gjykate e cila sipas tij, nuk mund të jetë e drejtë.

Ai tha se janë të përkrahje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po akuzohen dhe besojnë fuqishëm se ata do kthehen faqebardhë.

“Kemi bërë luftë absolutisht të pastër dhe të vetmin qëllim kemi pasur edhe ne si popull të jemi të lirë dhe të jemi të bashkuar si popujt tjerë. Proceset që ndodhen më vonë për ne ishin një befasi I radhës  jo e këndshme, por si luftëtarët ë lirisë përherë kemi qenë të  ballafaqohemi bashkë me të gjithë sfidat që na dalin përpara…Edhe këto proceset të cilat tash janë ngritur gjoja për të hulumtuar, dëshmuar apo për të parë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër ne kemi mbështetur, por dua të them se si  luftëtarë të lirisë jemi të zhgënjyer sepse një gjykatë e cila ngritet mbi thashetheme nuk  mund të jetë gjykatë e drejtë, dhe mund të jetë një gjykatë separatiste që gjykon një anshëm. Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare mbetet drejtësi e fuqishme dhe se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që këtyre ditëve janë arrestuar do dalin faqebardh sepse puna dhe lufta e tyre ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër.. besojmë se drejtësia do ngadhënjej besojmë që drejtësia ndërkombëtare nuk do jetë e anuar dhe do jetë një drejtësi e drejtë“, tha Shaqiri.

Javën e kaluar Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë për ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi u nisën drejt Hagës më 4 dhe 5 nëntor pas konfirmit të aktakuzës më 26 tetor 2020. Përveç shkuarjes në Hagë, pasuan edhe bastisje disa-orëshe nëpër lokacione të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe shtëpitë e të njëjtëve.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.