Kreu i BDI, Ali Ahmeti dhe ai i LSDM Zoran Zaev kanë arritur marrëveshjen për mënyrën se si do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Zaev përmes një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se partitë në disa komuna do të kenë kandidatë të përbashkët, e në disa të tjera bashkëpunimi do të jetë në raundin e dytë.
“Kam pasur një takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit dhe presidentin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ne ramë dakord që LSDM dhe BDI do të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme lokale”, u shpreh Zaev.
Sa i përket datës së zgjedhjeve, Zaev tha se partia e tij është e gatshme të pranojë cilëndo datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, përfshi edhe 17 tetorin siç kërkon VMRO- DPMNE-ja.
Zaev propozoi 31 tetorin, në mënyrë që sipas tij fushata elektorale të mos përkojë me kohen e regjistrimit të popullsisë.
Ende nuk ka një qëndrim përfundimtar rreth datës së zgjedhjeve vendore në Maqedoninë e Veriut.