Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe, reagon Çeku: Policia nuk ka qenë e njoftuar

Liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe, reagon Çeku: Policia nuk ka qenë e njoftuar

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka reaguar ndaj liturgjisë fetare në kishën në oborrin e Kampusit Universitar të Prishtinës.

Përmes një statusi në Facebook, Çeku ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë.

Po ashtu Çeku ka thënë se liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë. Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”; ka thënë ai.

Megjithatë shton se veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë.


“Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cenojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, ka shtuar ai.

Kjo është hera e parë që mbahet liturgji në këtë kishë pas luftës, ndërsa mediat serbe thonë se për herë të fundit aty është mbajtur një rit fetar në vitin 1998.

Kisha ortodokse serbe, e cila është ndërtuar në hapësirat e Universitetit të Prishtinës në vitin 1992, pas marrjes së dhunshme të pushtetit nga Serbia më 1989, jo vetëm që është ndërtuar në masa të dhunshme por edhe është përkrahur dhe financuar nga Partia e kriminelit, Arkan (Zheljko Razhnjatevic-Arkan)

Kisha është në hapësirat e Universitetit të Prishtinës dhe për ketë nuk ka leje të ndërtimit. Ish-udhëheqja e dhunshme serbe, e cila ka ardhur më 1989, pas rrënimit të Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974 , pretendon se më 15.02.1999. i ka lëshuar një leje kësaj kishe, 7 vjet pas ndërtimit të saj.

Ndryshe, Kisha Ortodokse serbe ka qenë nxitësja kryesore për fillimin e luftërave në ish-Jugosllavi dhe përkrahësja e vazhdueshme e kriminelit Millosheviç, si dhe e ka bekuar çdo serb që ka shkuar në luftërat që Serbia i ka bërë në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe së fundi edhe në Kosovë.

Lexo edhe

Video

error: