Platforma “Liria ka emër” sot bëri thirrje gjithë qytetarëve që me datën 2 prill t’i bashkohen marshit në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.
Ideatorët e kësaj platforme u shprehën se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.
Eliza Hoxha nga Platforma “Liria ka emër”deklaroi se përkundër se populli shqiptar ka qenë viktimë e një lufte të imponuar, me vite të tëra, proceset gjyqësore të pabaza, i kanë përndjekur ndër vite ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Hoxha mes tjerash tha se duke qenë plotësisht koshient se drejtësia si parim, është e paanshme, e plotë dhe manifeston të vërtetën, ajo beson në drejtësi, si dhe pret një epilog të drejtë të këtij procesi gjyqësor.
“Gjithsesi, duhet të jemi edhe koshient, se përpjekja për ta ndryshuar historinë e luftës sonë çlirimtare, është përpjekje e pabazë dhe e pamundur dhe ne, nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë. Prandaj, me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër ish krerëve të UҪK-së, në emër të solidaritetit me heronjtë tanë, më 2 prill, ju ftojmë për një Marsh solidarizimi për drejtësi. Për drejtësinë që e kërkojmë dhe kundër padrejtësive të reja”, tha Hoxha.
Ndërsa, Ismail Tasholli u shpreh se është obligim i gjithë qytetarëve që të vërtetën historike e dinjitetin kombëtar ta mbrojnë me përkushtim.
Me këtë rast, Tasholli ftoi të gjitha grupet shoqërore që të solidarizohen dhe të marrin pjesë në këtë marsh.
Marshi solidarizues për drejtësi dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”, me 2 prill në ora 14:00.
