Kampioni i Kosovës në futsall, FC Liqeni, ka mësuar sot njërin nga tre kundërshtarët e fazës së “Main Round” në Ligën e Kampionëve.
Sipas shortit, i cili u hodh sot në Nyon të Zvicrës, Liqeni është pozicionuar në Grupin 6, ndërsa kundërshtar do ta ketë kampionin e Bjellorusisë, FC Stalistan.
Ndërkaq, kundërshtarët e tjerë të Liqenit do të jenë fituesit e grupeve B dhe E të fazës paraeliminatore, përcjell KosovaPress.
Në Grupin B të fazës parakualifikuese janë JB Futsal Gentofte (Danimarkë), Fortuna Wiener Neustadt (Austri), PYF Saltires (Skoci) dhe Amigo Northwest (Bullgari), derisa në Grupin E bëjnë pjesë Piast Gliwice (Poloni), Doukas (Greqi), Nistru Chişinău (Moldavi) dhe Technion Haifa (Izrael).
Ndeshjet e fazës “Main Round” do të zhvillohen prej 25 deri më 30 tetor, në Pallatin e Sportit në Prishtinë.