Lipjani solli aktivitete kulturo-sportive për diasporën

Komuna e Lipjanit këtë vit solli aktivitetin “Mërgata Fest & Sport” për të uruar mirëseardhje të gjithë bashkëvendësve të ardhur nga diaspora për të kaluar pushimet në vendlindje. Nga data 8 deri më 10 gusht u mbajtën aktivitete sportive e argëtuese që u përmbyllën me koncertin e madh në qendër të qytetit.

Këngëtarët si Sabri Fejzullahu, Grupi “Ilirët”, Teuta Selimi dhe artistë të tjerë u përkujdesën për argëtimin e qytetarëve, ndërsa u organizuan lojëra me karakter garues si beach volley, ping-pong, shah, mundja e krahut, pikado, çiklizëm, shigjetari e futboll të vogël. Gjithashtu, u shtrua edhe sofra tradicionale.

Drejtoresha e Kulturës në Lipjan, Anila Reçica-Llugiqi, deklaroi për KosovaPress se qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve ishte që të ardhurit nga diaspora si dhe qytetarët rezidentë të kenë mundësi argëtimi në një vend të përbashkët.


“Qëllimet tona janë t’i bashkojmë mërgatën dhe qytetarët rezidentë të qytetit të Lipjanit në një vend të përbashkët. Ata mos të ndihen si mysafirë në vendin e tyre. Kështu që ky ishte edhe qëllimi ynë. Na kemi pas nevojë për një frymë ndryshe të qytetit të Lipjanit për një qytet me plot ngjyra dhe po besoj që e kemi arrit qëllimin”, tha Reçica-Llugiqi.

Në ditën e fundit të “Mërgata Fest dhe Sport” u luajtën edhe ndeshjet finale në disa nga sporteve që ishin pjesëmarrëse, ku më pas u shpërndanë edhe trofetë e medaljet për sportistët fitues.

Po ashtu, Komuna e Lipjanit ndau edhe mirënjohje për Policinë e Kosovës dhe stafin mjekësor që ishte i pranishëm, ndërsa pa mirënjohje nuk mbeti as Federata e Motoçiklizmit dhe ajo e Çiklizmit, të cilat hapën këto aktivitete në ditën e parë me parakalim në sheshin e qytetit “Adem Jashari”. /A.Arifi/

Lexo edhe

Video