Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Limaj: Vendi do të drejtohet nga ata që e kanë sharë

Limaj: Vendi do të drejtohet nga ata që e kanë sharë

Sipas kreut të Nismës Socialdemokrate, Kosova sot i është ekspozuar një mashtrimi masiv. Në shtatë vjetorin e themelimit të kësaj partie, Fatmir Limaj ka kritikuar politikat e partive të tjera. Sipas tij, Kosova do të udhëhiqet nga personat të cilët e kanë diskredituar shtetin dhe e kanë polarizuar skajshmërisht.

Në shtatë vjetorin e themelimit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se ata ishin bashkuar për një zë ndryshe, i cili përfaqëson misionin dhe dëshirën e atyre për shërbim të vendit. Megjithatë, ai pati shumë kritika për fituesin e zgjedhjeve.

“Sot janë dy kushte, nëse dëshironi të fitoni shani dhe shpifni për vendin e juaj. Mashtroni qytetarin e jua, bëni zi e terr për të arritur tek vendi juaj. Sot sa më shumë mbillni frymë përçarëse dhe energji negative tek rinia e Kosovës, sepse kjo sjell rezultatin e shkurtër, kjo sjell të ashtuquajturën solidarizimi momental masiv i të pakënaqurve. A është ky objektivi i një drejtuesi politik. Ata do e drejtojnë një vend që e kanë sharë. E kanë diskredituar dhe mohuar. Druaj shumë që ky vend do të paguajë kosto për gjithë atë polarizim”, ka deklaruar ai.

Tutje, sipas tij, Nisma Socialdemokrate asnjëherë nuk ka nxjerrë interesat e saj partiake para interesit të vet qytetarit.

“Politika në Kosovë ka nevojë për një fytyrë njerëzore. Politika në Kosovë është një politikë, e cila i duhet një zë vizionar dhe një platformë politike e cila i bashkon njerëzit. Program politik që afron dhe u zgjidh probleme njerëzve. Ne edhe atëherë besuam dhe sot besojmë që Kosovës i duhet një vizion politik, i cili vjen e ofron njerëz, ndërton politika bashkuese e unitare. Dhe jo politika polarizuese dhe përçarëse”, tha ai.


Kreu i kësaj partie, ka shtuar se për shtatë vjet janë sfiduar si Kosovë për shumë probleme. E që për këtë, u zotua se partia e tij është kthyer në shkollë për vizion politik.

“Ne u lindëm dhe u rritëm në një kohë të vështirë. Ne jo rrallë herë përgjatë këtyre viteve kemi paguar koston e gabimeve të të tjerëve. Jo rrallë herë të tjerët na kanë rreshtuar në vende të gabuara duke tentuar të na i m veshin koston e gabimeve të të tjerëve. Edhe përkundër kësaj ne nuk jemi ndalur. Ne nuk kemi kalkuluar dhe nuk kemi bërë politikë mediokre. Në fakt ne jemi irrituar nga ajo politikë mediokre dhe hipokrite. Ne nuk duam politikë e dy fytyrave. Ne duam një politikë e cila është tërësisht transparente, konsistente në shërbim të njerëzve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Qëndrimi në politikë me një fytyrë, siç tha ai, nuk është e lehtë, madje as shumë e popullarizuar. Por, që sipas tij politika populiste po zë vend, por janë afatshkurta.

Në përvjetorin e themelimit të Nismës, ai ka përmendur edhe ish-partiakun e tij, i cili po gjykohet nga Specialja. Sipas tij, Jakup Krasniqi është në Hagë për shkak të të arriturat e tij, dhe pas arritjes së pavarësisë së Kosovës.

“Në emrin tuaj t’i dërgojë përshëndetjet tona të përzemërta për njërin nga themeluesit e kësaj partie. Një burri të madh të këtij vendi i cili vazhdon të paguajë çmimin e të arriturave në Kosovë. Një personaliteti i cili për ne është emblematik dhe historik. Një burri i cili tërë jetën ishte në shërbim të vendit. Njerëzit vizionar që ndërtojnë politika të mëdha asnjëherë nuk ju kthehet shpërblimi në momentin e bërë. Përshëndetim të gjithë bashkë këtu nga salla ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jeta dhe vepra e bacës Jakup tregon më së miri ato që folëm më herët ”, ka deklaruar ai.

Limaj tha se janë krenar çfarë kanë prezantuar gjatë fushatës zgjedhore. Ai tha se nuk i takojnë atyre njerëzve qe rrinë qosheve dhe presin rezultatet. Tutje, theksoi se do të vazhdojnë zhvillimin e zgjedhjeve brenda partisë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: