Liburni-Prishtina 01, sot finalja e turneut “Adem Jashari”

Liburni-Prishtina 01, sot finalja e turneut “Adem Jashari”

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet ka filluar edicioni i 11-të i turneut përkujtimor në nderim të komandantit legjendar Adem Jashari, që mbahet në kuadër të manifestimeve “Jetojmë me lavdinë tuaj” nën organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Katër ekipe po e nderojnë turneun “Adem Jashari”, Liburni si kampion i Kosovës, Prishtina 01 si fituese e Kupës së Kosovës dhe Shkupi e Ulqini.

Turneu nisi me dy ndeshjet gjysmëfinale ku në ndeshjen e parë u ballafaqua, Liburni- Shkupi, ndërsa në të dytën Prishtina01-Ulqini.

Në ndeshjen e parë Liburni-Shkupi u zhvillua një lojë e fortë e cilësore, ku mysafirët të parë kaluan në epërsi qysh në minutën e 12-të përmes Leveskit. Për të barazuar shifrat u kujdes Ramadan Alaj në minutën e 13-të. Por shkupjanët nuk u dorëzuan fare dhe në minutën 14 shënoi Alili, ndërsa në minutën e  20-të Leveski shton epërsinë e shkupjanëve në 3:1 dhe me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.


Edhe pjesa e dytë nisi furishëm, ndërkaq futbollistët Liburnit zvogëlojnë epërsinë në 2:3 përmes Mejzinit i cili shënoi në minutën e 32-të. Vetëm dy minuta deri në përfundim të ndeshjes Shkupi kishte epërsi, por në minutën e 39-të Malush Qerimi, barazoi rezultatin në 3:3. I njëjti futbollist arriti të shënoi dy herë në minutën e 40-të për rezultatin 5:3 për Liburnin, i cili u bë finalisti i parë i  turneut.

Në ndeshjen e dytë Prishtina 01, ka mbizotëruar plotësisht ndaj Ulqinit.  Serinë e golave e ka hapur Endrit Hajdini që shënoi dy herë në minutën e 3 e 15-të. Ulqinakët barazuan nga penalltia në minutën e 13 përmes Allajt. Ndërsa në vazhdim  shënuan Kelmendi në minutën 13-të, Kameri në të 14-tën, Hashani në atë 17-të dhe  Kaçanolli në minutën e 20-të dhe me rezultat 6:1 u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

Duke parë se Ulqini nuk ishte rival i barabartë, prishtinasit në pjesë e dytë luajtën sa për ta mbyllur ndeshjen.

Sot për vend të tretë nga ora 18.00 takohen Shkupi-Ulqini, ndërsa në finale në orën 20:00, Liburni-Prishtina 01.

Lexo edhe

Video