Lëshohet urdhërarrest për ish-eprorin e lartë policor

Lëshohet urdhërarrest për ish-eprorin e lartë policor

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar arrestimin dhe shoqërimin me forcë të ish-shefit të operativës në policinë e Kosovës, Zhelko Bojiq, i cili dyshohet për veprat penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Mësohet se në bazë të aktakuzës, e cila është ngritur ndaj të pandehurit më 19 qershor 2020, ngjarja kishte ndodhur gjatë vitit 2015 në veri të Mitrovicës, derisa Njësiti anti-drogë po zhvillonte një aksion që synim kishte kapjen e një sasie të madhe drogë nga një automjet Land Rover.


Mirëpo, dyshohet se me urdhrin e togerit Zhelko Bojiq, njerëz të caktuar të krimit, kishin arritur ta pengojnë Njësitin anti-drogë, duke pamundësuar kështu aksionin policor.

Bojiq ka më shumë se dy vite që kur ka ikur nga Kosova, ndërsa thuhet se fshihet në Serbi.

Kujtojmë se në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zhelko Bojiq identifikohet si pjesëmarrës i grupit të krimit të organizuar, grup ky që ishte angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë. /KosovaPress/

Lexo edhe

Video