LDK nuk fillon negociatat me AAK e Nismën pa e marrë mandatin nga presidenti

Lidhja Demokratike e Kosovës do të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvendin e Kosovës, vetëm pasi ta merr mandatin nga presidenti i vendit.

Mbrëmë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ që nëse i ofrohet mandati për formimin e Qeverisë, atë do ta bëjë në koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, për KosovaPress ka bërë të ditur se nuk do të nisin negociatat me këto parti pa e marrë mandatin nga presidenti i vendit, derisa ka theksuar se nuk kanë bërë ndonjë ofertë për këto parti.

“Nuk është koha për oferta. Ne presim që Vetëvendosja të ndërtojë shumicën e re parlamentare pavarësisht qëndrimit të tyre politik për momentin, ata kanë ende kohë. Nëse organet kushtetuese ia japin një të drejtë eventualisht si opsion i dytë LDK-së, atëherë ne ia kemi dhënë besimin Isa Mustafës si kryetar të fillojë bisedimet me partitë që krijojnë shumicën e re parlamentare me parimin e gjithëpërfshirjes. Ne e aplaudojmë edhe më tutje krijimin e një Qeverie nga Vetëvendosja me shumicë parlamentare të re ku LDK do ta ketë një rol shumë pozitiv dhe konstruktiv në përballim të krejt proceseve politike duke përfshirë edhe pandeminë”, tha ai.

Haziri tha se si parti e kanë vetëm një kusht në këtë fazë, e që është se LDK nuk hyn në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Por, edhe Partia Demokratike e Kosovës e ka bërë të qartë qëndrimin se do të vazhdojë të jetë pjesë e opozitës.


Në anën tjetër, AAK e Nisma Socialdemokrate ende nuk kanë qëndrim nëse do të jenë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga LDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma Haxhi Shala, për KosovaPress tha se nuk kanë pranuar ofertë nga LDK në këtë fazë, por që potencon se vendimin për të hyrë apo jo në koalicion e vendosin strukturat e partisë.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të presë për të marrë ofertën nga LDK e pastaj të vendosë nëse do të jenë pjesë e koalicionit.

Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, tha se ende nuk kanë pranuar ofertë, por nëse do të ketë, atëherë është kryesia e partisë ajo që vendos.

Presidenti Hashim Thaçi, pas rrëzimit të qeverisë Kurti, këtij të fundit i ka dërguar letra për të dërguar mandatarin, por Lëvizja Vetëvendosje insiston për  zgjedhje të reja pas përfundimit të pandemisë me koronavirus.

Lexo edhe

Video