LDK me rezolutë kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, LVV kundërshton

LDK me rezolutë kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, LVV kundërshton

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës projekt-rezolutën kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.

E njëjta mori mbështetjen edhe të dy partive tjera opozitare PDK dhe AAK, mirëpo, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje shprehu kundërshtimin e saj, pasi sipas tyre më e nevojshme është nisma e Ministrisë së Drejtësisë për plotësim-ndryshimin e Procedurës Penale dhe Kodit Penal.

Nismëtarja e kësaj projekt-rezolute, deputetja e LDK-së, Dorasa Kica-Xhelili, tha se duhet mobilizim politik për të dënuar dhunën seksuale, përtej fjalimeve.

Ajo tha se rezoluta ka 11 pika, ku kërkohet të profilizohen gjyqtarët dhe prokurorët të cilët ekskluzivisht do t’i trajtojnë lëndët e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual.

Në njërën ndër pikat tjera i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës të financojë hartimin e një komentari të Kodit Penal në lidhje me kapitullin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, i cili do të përfshijë praktikën gjyqësore vendore dhe të huaj.

“Si mobilizim të vullnetit politik për të dënuar edhe një herë përtej fjalimeve tona edhe më ashpër çdo dhunues, manipulues, sulmues dhe kriminel që kryen vepra penale të dhunimit sulmit, ngacmimit seksual dhe çdo vepër që cenon dhe denigron integritetin seksual sipas kodit penal”, tha Kica-Xhelili. 


Mbështetje ofroi edhe Partia Demokratike të Kosovës, përmes deputetes, Eliza Hoxha.

“Sot e mbështesim një rezolutë si kjo të LDK-së e cila thërret për gjithëpërfshirje në trajtimin e çështjes dhe jo vetëm në trajtimin e pasojës kur vjen në shprehje sektori i gjyqësisë dhe prokurorisë. Pra, ideja është që të investojmë në një investim më miqësor që merret me parandalimin e dhunës dhe aspekteve të tjera të integritetit gjinor dhe jo të merremi vetëm me pasojën”, tha ajo.

Të nevojshëm këtë rezolutë e quajti edhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

“Një parti opozitare ka sjellë një propozim-rezolutë të domosdoshme dhe më shumë se të nevojshme për gjendjen aktuale rreth temës së ngacmimeve seksuale. Fatkeqësisht, statistikat tregojnë rritje të këtyre rasteve që shpesh herë përfundojnë me fatalitet. Ne si shtet dhe shoqëri po dështojmë të mbrojmë popullin tonë, veçanërisht vajzat dhe gratë”, deklaroi Bytyqi.

Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti u shpreh e habitur se pse kjo projekt-rezolutë po vjen, kur në rend të ditës janë edhe ndryshimet në Kodin Penal ku ashpërsohen sanksionet për sulmet seksuale dhe dhunën ndaj grave.

Ajo tha se kjo rezolutë flet më shumë për kushtet e gjyqësorit dhe prokurorisë sesa vet viktimat.

“Ne jemi duke diskutuar sot një dokument, i cili është paralajmëruar në kuadër të shumë paralajmërimeve, menjëherë pasi janë propozuar ndryshimet që ashpërsojnë Kodin Penal sa i përket sulmeve seksuale dhe dhunimeve të grave. Kjo çuditërisht, në kohën kur po priten ndryshimet në kod të cilat kanë kaluar në komisionin pa legjislacion, pa votën e LDK-së, po priten shumë mirë nga shumica e grave dhe burrave. Po priten jashtëzakonisht mirë nga ato më të shqetësuarat në këtë temë, pasi ndryshimet po bëhet përmes një akti të rëndësishëm dhe detyrueshëm ligjor. Të nderuar deputetë, kjo rezolutë flet më shumë për kushtet e gjyqësorit dhe prokurorisë sesa vetë viktimat”, theksoi ajo.

Lexo edhe

Video