LDK kërkon të ndalet politizimi në universitete

LDK kërkon të ndalet politizimi në universitete

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se me qëllim të shtrirjes së ndikimit dhe të kontrollit në institucione, po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura.

LDK thotë se dje në Universitetin e Prishtinës (UP), nën ndikimin e partisë në pushtet, u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së nga radhët e trupit akademik.


“Përzgjedhja në masë të madhe dëshmoi se anëtarët u përzgjodhën me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalancë total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore. Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në  pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së. Të përkujtojmë se Këshilli Drejtues i UP-së është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Prishtinës, që mbikëqyr punën e Rektorit dhe funksionimin e Universitetit edhe në rrafsh buxhetor. Qeveria e Republikës së Kosovës ka rol në punët e menaxhimit të UP-së përmes anëtarëve që i cakton MASHT-i në Këshillin Drejtues. Por, jo duke përcaktuar direkt anëtarët nga trupi akademik. Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional. Kjo është parë me ndërhyrjen e një qeverie të kaluar në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës që rezultoi me përjashtimin e saj prej organizmave relevante evropianë për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar respektim të autonomisë së Universitetit dhe përjashtim të ndikimit partiak në UP.

Lexo edhe

Video