LDK fituese e zgjedhjeve në Dragash, certifikohet rezultati

LDK fituese e zgjedhjeve në Dragash, certifikohet rezultati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar rezultatin për kryetar të Dragashit, ku zyrtarisht Bexhet Xheladini i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka fituar zgjedhjet në këtë komunë.

Në mbledhjen e KQZ-së është bërë e ditur nga kryetari Kreshnik Radoniqi se në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk është bërë asnjë ankesë gjatë afatit 24-orësh.

“Me nëntë vota për certifikohet rezultati për kryetar komune në Dragash ku Bexhet Xheladini është zgjedhur kryetar i kësaj komune… E kemi pranuar prej PZAP-it shkresën që nuk ka pasur ankesa lidhur komunën e Dragashit”, ka thënë kryetari i KQZ-së.

Në këtë mbledhje është bërë edhe zëvendësimi i 15 asamblistëve, të cilët janë dorëhequr për arsye të ndryshme.

Këshilli për çështje ligjore i ka trajtuar kërkesat për zëvendësim në kuvende të ndryshme komunale dhe ka bërë të ditur se sekretariati ka konfirmuar që të njëjtit i plotësojnë të gjitha kriteret e parapara me ligj.


Gjithashtu në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar analizën për fletëvotimet e pavlefshme për zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës.

Alim Rama nga Këshilli për operacione Zgjedhor ka prezantuar analizimin e fletëvotimeve të pavlefshme për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe ka thënë se do të duhej që është njëherë të shqyrtohet mundësia e ndryshimit të dizajnit të fletëvotimeve.

“Rekomandimi nga ky dokument është që është njëherë të shqyrtohet mundësia e ndryshimit të fletëvotimeve, në dizajn të fletëvotimeve, a ka të bëjë me fletëvotime ose jo pastaj vazhdon me këtë adresimin nga informimi i votuesve dhe një element që edhe pse në përbërje të vogël, por i cili realisht është i vetmi ku mund të cenohet procesi zgjedhor, është në qoftë se fletëvotimet nuk janë lexuar siç duhet nga trupat zgjedhor, por kjo përqindje është e vogël”, ka thënë ai.

Duke e prezantuar raportin ai ka thënë se një prej arsyeve pse fletëvotimet shpallen të pavlefshme mbetet pasi që votuesit votojnë për kandidatë dhe jo për subjekte politike.

Megjithatë ai ka bërë të ditur se ka rend të zvogëlimit të fletëvotimeve të pavlefshme duke përmendur që në zgjedhjet e vitit 2017 ishin 6.3 përqind fletëvotime të pavlefshme, më 2019 kanë qenë 3.8 përqind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021 ishin 6.61 përqind fletëvotime të pavlefshme.

Lexo edhe

Video