LDK dorëzon kallëzim penal ndaj Pecit dhe Pacollit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
LEONDI-191124
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.

Ky veprim vjen pas raportimeve se familjarët e deputetes Pacolli kanë përfituar grante në sektorin e bujqësisë, që sipas LDK-së, kjo është bërë bazuar në lidhjet familjare.

LDK ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë pasi sipas tyre është keqpërdorur paraja publike.

Zyrtarë të LDK-së, ditë më parë, akuzuan Pecin dhe Pacollin duke thënë se kanë ndikuar që vëllai i deputetes të fitojë grant në vlerë rreth 100 mijë euro.

Akuzat i mohoi Blerim Pacolli, vëllai i deputetes, duke thënë se i ka plotësuar të gjitha kriteret për ta fituar grantin.

Ndaj akuzave reagoi edhe deputetja Pacolli e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Bujqësi, duke thënë se do të bëjë padi ndaj mediave që e kanë publikuar lajmin për grantin.

Të dielën, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nisjen e hetimeve ndaj ministrit të Bujqësisë.

Kërkoi, gjithashtu, shkarkimin e Pacollit nga pozita e kryetares së komisionit parlamentar.

PDK-ja kërkoi të verifikohet nëse ministri Peci ka ndikuar që vëllai i deputetes të përfitojë grantin në vlerë rreth 100 mijë euro.

Ndaj këtyre akuzave reagoi edhe ministri i Bujqësisë, i cili tha se nga tani e tutje nuk do ta kursejë gjuhën e tij.

PDK-në, ai e quajti kriminale.

Më vonë u raportua se përfitues i një granti është edhe daja i deputetes Pacolli.

Në anën tjetër, Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë i ka refuzuar Kooperativës Bujqësore “Krusha”, aplikimin për grantin bujqësor.

Sipas një reagimi të kooperativës, refuzimi është bërë me arsyetimin se mungonin dokumente plotësuese.

“Krusha” e quajti shqetësues dhe zhgënjyes këtë refuzim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024